Lëvizja FOL ka organizuar diskutim për sfidat e implementimit të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në sektorin publik dhe atë privat, ku u theksua se sinjalizuesit luajnë rol thelbësor në mbrojtjen e interesit publik, raporton Ekonomia Online.
Në këtë diskutim morën pjesë Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Ismet Kryeziu, drejtor i KDI-së.
Buleshkaj fillimisht ka sqaruar se sinjalizimi është raportimi apo shpalosja e informacionit në lidhje me shkeljet e ndryshme ligjore që mund të ndodhin në institucionet e sektorit publik dhe privat.
Ai tha se përmes sinjalizimit bëhet zbulimi i informacionit mbi aktivitetet e paligjshme, mashtruese ose të rrezikshme që kryhen brenda institucionit.
Tutje, Buleshkaj e vlerësoi si sfidën më të madhe ngritjen e vetëdijësimit për këta mekanizma.
“Sfida me e madhe qëndron ne ngritjen e vetëdijes për këta mekanizma dhe se çfarë janë këta mekanzima. Duke e pasur prioritet interesin e publikut, sinjalizuesit luajnë një rol kyç. Prandaj, është shumë me rëndësi që ata të mbrohen me ligj”.
“Sfida më e madhe po mbetet nga sektori privat. Kemi pranuar vetëm 3 biznese qe kanë dërguar raport kur janë mijëra boznese të regjistruara”, ka thënë Buleshkaj.
E Kryeziu, teksa ka përmendur një rast të kaluar, ku sinjalizuesi kishte humbur punën, tha se sfida më e madhe mbetet mungesa e udhëzuesit për mbrojtjen e sinjalizuesve.
“Ata qe kanë parë parregullsi në institutcionet e tyre nuk kanë pasur mbrojtje që t’i paraqesin ato raste. Avdullah Thaqi kishte paraqitur disa parregullsi në bankën ku ai punonte dhe në mungesë të këtij ligji, ai ishte dënuar për nxjerrejn e informatave dhe kishte humbur vendin e punës. Një përqindje shumë e lartë e punëtorëve të sektorit publik dhe privat nuk kanë qenë në dijeni për sinjalizimin”.
Sfidë tjetër, ai tha se mbetet edhe vetëdijësimi i qytetarëve.
“Kemi mbajtur trajnime që të rritet vetëdijësimi. Në vitin e kaluar jemi angazhuar në matjen e sinjalizimit në sektorin e drejtësisë. Brenda dy muajve që kemi kryer hulumtimin, këto institucione kanë reflektuar. Kemi parë se shumë persona nuk kanë kualifikimet e duhura për punën e tyre. Deri në vitin 2022 nuk ka pasur asnjë rast të paraqitur. Është sektor që vërehet si potencial që mund të paraqiten raste të keqpërdorimit. Jemi në fazën ku Qeveria ka dështuar të nxjerrë një udhëzim për mbrojtjen e sinjalizuesve”, u shpreh Kryeziu.