Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta dorëzojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.
Kërkesën do ta dorëzojë shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili më pas do të adresohet për mediat.
Ky ligj i cili u miratua në Kuvend pesë ditë më parë, u kundërshtua përveç nga opozita, edhe nga personat që përfitojnë nga skema pensionale për veteranët e luftës.
Kjo për shkak se Ligji nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën.
Të shtunën, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) e ka mbajtur një protestë në Prishtinë kundër Ligjit për pagën minimale.