Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, është takuar me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur si dhe të Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të Zhdukur. Këta të fundit u shprehën të zhgënjyer me fatin e të pagjeturve, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komisionit Qeveritar, Andin Hoti, tha se gjatë vitit 2023 kanë realizuar 15 gërmime në Kosovë.
“Në disa prej tyre lokacioneve kemi arritur t’i gjejmë eshtrat e 20 personave të zhdukur, derisa disa prej këtyre rezultateve jemi ende në pritje. Kurse 9 mbetje mortore gjatë këtij procesi u janë dorëzuar familjarëve”.
Hoti ka njoftuar se këtë vit do të punojnë në katër lokacione në Kosovë.
“Sa i përket territorit në Serbi, fatkeqësisht vetëm në një vend në një lokacion ‘Shtaval’ ka pasur gërmime që ka pasur informata dhe dyshime që me autobusë janë bartur personat”, tha Hoti.
Hoti, bëri të ditur se i kanë dërguar edhe letër presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit, për të hapur arkivat në zonën e Drenicës, por nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
“Me 1 qershor i kemi dërguar letër Vuçiqit për të hap arkivat në fushën në zonën e Drenicës, tendencë për me i tregu BE-së se Serbia s’ka vullnet me punu në këtë drejtim. Janë arkiva, dokumente që janë publike që kanë qenë në media ne i kërkojmë ato për të zbardh fatin e këtyre personave apo varrezave masive”, tha ai, teksa shtoi që letër i kanë dërguar edhe dy përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak. Këtë të fundit, Hoti tha se i kanë pyetur se përse nuk ka ende gërmime në Serbi.
“Kemi kërkuar informacion për 16 lokacione se ekzistojnë, 11 lokacione tjera ne vazhdojmë më i kërku në Serbi. Në Novi Pazar ne dyshojmë që ka ende persona të mbetur në këto lokacione mënyra së si janë zhdukur në formë të grupacioneve. Ka qenë i nevojshëm involvimi i BE-së, me letër që ata të marrin një rol kushtëzimi”, tha Hoti.
I zhgënjyer për fatin e të pagjeturve është shprehur edhe kryetari i Këshillit të Familjarëve, Ahmet Grajqevci.
“Çështja e personave të zhdukur është e mundimshme dhe e dhimbshme, asnjë institucion nuk ka bërë mjaftueshëm. Çështja e dinarit për 24 orë diskutohet por jo edhe e personave të zhdukur që për fatin e tyre e dinë më së miri Serbia”, tha ai.
“Shumë persona i gjetëm nëpër puse, shteti ka flejt, lokacione që i përmendi kryetari nuk janë lokacione të reja janë të tilla që kanë mbetur nga KFOR-i, hetimet nuk kanë vazhduar, shteti ka flejt sot është dashtë me qenë të përfunduara, të gjitha argumentet janë në letra”, tha ai.
“Ekspozitën e të pagjeturve shumë pak deputetë e kanë vizituar, kemi mundësitë për të bërë më shumë, Vuçiqi rrenën po e bën të vërtetë. Çështja e të pagjeturve shtyhet në Bruksel, ndërsa çështja e dinarit bëhet e rëndësishme, kjo është e tmerrshme. Çka kam pa dhe prek me dorë është shumë e vështirë, ose të punojmë ose ta lëmë krejt”, tha ai.
Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ftoi qytetarët për të dorëzuar dëshmitë e tyre.
“Inkurajojmë qytetarët që të deponojnë dëshmitë, kemi çka të themi dhe të dokumentojmë, sado që koha e ka bërë të veten”, tha ajo.
E fajtor për çështjen e të pagjeturve, deputeti i VV-së e la edhe faktorin ndërkombëtar, pasi e kundërta do të ndodhte nëse BE-ja nuk “ledhaton” presidentin serb.
“Ta ngrisim zërin, sepse nuk është e drejtë që për një serb të mblidhet Këshilli i Sigurimit, ndërsa për sulm ndaj vendit tonë të mos kërkohet mbledhja e Këshillit. Ne si popull jemi krenarë, faji nuk është te ne, kërkojmë ndihmë”, tha ai.
Mungesa e diskutimeve me prokurorët, për çështjen e të pagjeturve nga Komisioni për Personat e Zhdukur, u konsiderua si neglizhencë, kurse u tha se kanë kërkuar takim me Këshillin Prokurorial, dhe pritet ditëve në vijim harmonizimi i agjendës.