Pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, njëri ndër prioritetet e shumicës parlamentare LSDM-BDI-ASH mbetet miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ose i ashtuquajtur Ligji për shqipen.
Por kaluan tetë ditë nga përfundimi i rrethit të dytë zgjedhor dhe në Parlament ende nuk është në agjendë vazhdimi i debatit parlamentar, gjegjësisht fillimi me leximin e dytë të Ligjit për gjuhët, shkruan gazeta KOHA.
Të hënën, në Parlament pati dy seanca – ajo numër 6 në lidhje me raportet vjetore të disa komisioneve shtetërore dhe seanca e 8-të me rend dite ndryshime të ligjeve aktuale, por jo edhe pika për Ligjin për gjuhët.
Nga partitë e shumicës parlamentare – BDI, LSDM, RDK dhe ASH presin që kryetari Talat Xhaferi të caktojë kohën kur do të vazhdojë debati, pastaj të japin qëndrime konkrete në lexim të dytë.
Pas tentativës që të marrim përgjigje se kur do të caktojë vazhdimin e debatit për Ligjin për gjuhët, nga kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi nuk morëm përgjigje deri në mbylljen e gazetës.
Para zgjedhjeve lokale, Ligji për shqipen kaloi vetëm në lexim të parë, ndërsa pati kritika të ashpra nga deputetët e VMRO-së lidhur me atë se shumica parlamentare vendosi që ky ligj të ketë shenjën e BE-së, me çka sipas tyre, është bërë për të shmangur debatin në seancë plenare dhe në komisione parlamentare.
Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, thotë për gazetën KOHA se shumë shpejtë – me Ligjin për gjuhën do të vazhdohet me procedim të mëtejshëm parlamentar, ndërsa vullneti i shumicës parlamentare për ta miratuar atë, sipas Tuntevit, nuk ka ndryshuar dhe vazhdon të jetë pozitiv.
Ai tha se është domosdomoshmëri e kohës në të cilën po jetojmë që marrëdhëniet ndëretnike të relaksohen jo vetëm me avancimin e gjuhëve joshumicë, por edhe në aspekte tjera shoqërore.
“Para zgjedhjeve kishim lexim të parë, tani presim që sa më shpejtë të vazhdohet me procedimin e mëtejshëm parlamentar, me çka besoj se kryetari i Parlamentit do të vendosë shpejtë për lexim të dytë.
Ajo që ka rëndësi është se nuk ka ndryshuar aspak vullneti pozitiv i shumicës parlamentare për të miratuar Ligjin në fjalë. Personalisht mendoj se është domosdoshmëri e kohës që të kemi marrëdhënie ndëretnike më të relaksuara dhe më të përparuara jo vetëm nga aspekti i avancimit të gjuhëve, por edhe aspekteve tjera arsimore, ekonomike, e sociale”, thekson Tuntevi i LSDM-së.
Nga Lëvizja BESA, deputeti Fadil Zendeli thotë se grupi parlamentar i partisë së tij do të votojë Ligjin për shqipen ndonëse sipas tij, ky Ligj nuk e zyrtarizon gjuhën shqipe, por vetëmse e avancon atë në nivel shtetëror.
“Nëse flasim parimisht, më duhet të them se ky Ligj nuk e zyrtarizon gjuhën shqipe, por bën vetëm një avancim shumë më kualitativ të gjuhës shqipe se sa Ligji që është tani, e të cilin sollën dyshja BDI-VMRO më herët.
Ne si parti, megjithatë do të përkrahim këtë propozim-ligj, por dilema mbetet nëse do të zbatohet si duhet nga ata që janë në Qeveri, sepse e kaluara nuk flet mirë kur bëhet fjalë për zbatimin e ligjeve në dobi të shqiptarëve”, tha për KOHA Zendeli nga BESA.
Ai fajësoi BDI-në se jo vetëm me ketë propozim-ligj, por edhe për të drejta tjera që i përkasin shqiptarëve nuk ka forcë që t’i imponon partnerit maqedonas zyrtarizmin e gjuhës shqipe, si rezultat i mungesës së konsensusit të brendshëm politik shqiptar. “Fatkeqësisht, partitë shqiptare në pushtet nuk kanë forcë të imponojnë te partneri i tyre maqedonas zyrtarizimin e gjuhës shqipe.
Kjo, pasi nga njëra nuk krijojnë konsensus të brendshëm politik brenda kampusit politik shqiptar që të flasim me një zë karshi partive maqedonase, kur bëhet fjalë për avancimin e të drejtave tona si nacionalitet, sepse në të shumtën e rasteve, edhe ato pak të arritura që kanë, ia atribuojnë në mënyrë shumë fëmijërore vetes siç është rasti tani me BDI-në për gjuhë shqipe.
Konfliktualiteti politik tek partitë shqiptare maqedonase u konvenon që të rrëzojnë ose të minimizojnë kërkesat tona politike në vazhdimësi”, thotë Zendeli.
Për ASH-në, miratimi i Ligjit në fjalë mbetet prioriteti dhe arsyeja kryesore pse kjo parti është në Qeveri me LSDM-në dhe BD-në.
“Ligji për shqipen duhet që sa më shpejtë të kthehet në Parlament dhe mos të humbet kohë më shumë duke e miratuar atë.
Për ne, Ligji për gjuhën shqipe mbetet prioriteti dhe arsyeja kryesore pse ne vazhdojmë të jemi partner në Qeveri me LSDM-në dhe BDI-në, sidomos pas asaj çfarë ndodhi në Strugë me zgjedhjet lokale”, thonë nga ASH.