Familjeve që gëzojnë asistencë sociale, sipas Ligjit për Skemat Sociale, u ndalet asistenca sociale kur fëmija i mbush pesë vjet, pasi konsiderohet që fëmija është rritur.
Kjo gjë nuk është e rregulluar mirë, vlerëson deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu. Edhe familjet përfituese të skemave sociale, e vlerësojnë të padrejtë ligjin aktual.
Drita Shala, nga Komuna e Fushë Kosovës, i ka katër fëmijë. Ajo thotë për radio kosovën se fëmijën e katërt e ka lindur me qëllimin e vetëm që ta vazhdojë socialin me të cilin jeton.
“I kam katër fëmijë, këtë të katërtin, që është tre muajsh, e kam bërë se ma ndalen socialin si i bëri fëmija i tretë pesë vjet. S’po kemi kah me ia majtë, po duhet me bë fëmijë për me marrë socialin”, tha Shala.
Sikur Drita ka edhe raste të tjera në Kosovë. Për çështjen se asistenca sociale u ndalet fëmijëve në moshën pesëvjeçare, është shprehur e shqetësuar edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Teuta Haxhiu.
Sipas Haxhiut, duhet të ndryshohet Ligji për Skemat Sociale, pasi fëmijët nga mosha pesëvjeçare kanë edhe më shumë nevoja.
“Fëmijët të cilët e kalojnë moshën pesëvjeçare dhe familjes që merr asistencë sociale i ndalet asistenca sociale, sepse konsiderojnë që ai fëmijë është i rritur. Për mua fëmija nga mosha pesëvjeçare nuk është lehtësim për familjen, por është një ngarkesë që duhet të investojë familja edhe më shumë për atë fëmijë”, u shpreh Haxhiu.
Ditë më parë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, ka bërë të ditur se nga muaji shtator, bashkë me Bankën Botërore, kanë planifikuar ta bëjnë një hulumtim më të gjerë të skemës sociale nëpër të gjitha komunat e Kosovës. Varësisht nga rezultatet e këtij hulumtimi, do të vlerësohet se a do të këtë nevojë për ndryshim-plotësimin e Ligjit për Skemat Sociale.
“Shpenzimet për familje edhe pas moshës pesëvjeçare veç sa rriten, dhe kjo është ajo çfarë në jemi duke bërë dhe bashkë me Bankën Botërore jemi angazhuar që të jemi në terren. Ne kemi shtuar kontrollet sa i përket përfituesve të asistencës sociale, pothuajse nuk jemi duke lënë asnjë dosje pa e kontrolluar”, tha Skender Reçica.
Sipas të dhënave nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies, në Skemën e Ndihmës Sociale në muajin korrik kanë qenë 25 mijë e 773 familje. Ndërsa buxheti vjetor për ndihmat sociale është mbi 31 milionë euro.