Lëvizja “Vetëvendosje” po e kundërshton mënyrën sesi e ka hartuar koalicioni qeverisës Ligjin për “Trepçën”, duke e konsideruar si ligj që kontrabandon pasurinë e vendit.
Nënkryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Dardan Sejdiu, në një konferencë për medie u shpreh se Ligji për “Trepçën” nuk është ligj për sovranizim dhe zhvillim, por përkundrazi “është mënyra më e ligë, më perfide e kontrabandimit të një ligji për asetin kryesor nacional të vendit”.
“Megjithëse ligji u është dhënë deputetëve vetëm dy ditë para seancës për trajtimin e tij, ne e kemi lexuar ligjin dhe kemi propozuar amendamente për këtë sepse e kuptuam që ligji nuk e trajton ‘Trepçën’ si aset nacional për zhvillim, por si plaçkën e radhës së Qeverisë e cila për 16 vjet e ka deindustrializuar Kosovën, e ka shkatërruar ekonominë dhe ka sjellë papunësinë më të madhe në Evropë”, tha Sejdiu.
Qeveria e Kosovës, sipas tij, me këtë ligj vendin e ka sjellë në situatë ku në secilin nen të këtij ligji sigurohet që privatizimi të bëhet heshtazi, duke shtuar se “Trepça” do të shthuret dhe do të shitet njësi për njësi biznesore, pra të privatizohet.
“Amendamentet tona siguroheshin që Ligji për ‘Trepçën’ të ishte në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike sepse ashtu sigurohemi që çdo vendim i ristrukturimit, tjetërsimit, zhbërjes, shthurjes të njërës prej njësive të vijë në Kuvend të Kosovës. Asnjë prej këtyre neneve e amendamenteve tona nuk është pranuar”, tha Sejdiu.
Sipas Sejdiut, amendamenti 3 që propozonte Lëvizja “Vetëvendosje” ishte që nënparagrafit 1.1 i Nenit 3 të Projektligjit, pas fjalisë “me emërtimin ‘Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP-së’” t’i shtohej fjalia “e transformuar me njësitë biznesore të parapara me këtë projektligj si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës”.
Ai ka thënë se kjo është refuzuar ta trajtojnë “Trepçën” si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës.
Sejdiu ka thënë se qe 16 vjet e kanë deindustrializuar dhe shkatërruar ekonominë e Republikës së Kosovës.
“Mbrëmë në Kuvend është parë zell i paparë për privatizim të pasurisë dhe më përkushtim të hatashëm që të vazhdohet me këto politika, të cilat që 16 vjet e kanë deindustrializuar dhe shkatërruar ekonominë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka shtuar se Muhamet Mustafa, Isa Mustafa dhe ekipi i tij në fakt kanë bërë atë që janë duke ia bërë Kosovës saktë që nga viti 2001, në mungesë idesh për zhvillim, ata shesin, në proces pasurohen për vete, derisa qytetarët varfërohen.
Sipas tij, sot Republika e Kosovës një ditë pas këtij votimi ka rrezik të mbetet pa një prej sektorëve kryesorë që siguron zhvillim dhe sovranitet për Republikën e Kosovës./Zëri/