Për pesë persona ka rënë numri i të vdekurve si rezultat i aksidenteve fatale. Policia e Kosovës ka bërë të ditur për arbresh.info se në periudhën janar-mars 2016 në 22 aksidente me fatalitet kishin humbur jetën 25 persona, derisa në të njëjtën periudhë të këtij viti, në 17 aksidente kanë humbur jetën 20 persona.
Që nga shtatori i vitit 2016 ka hyrë në fuqi Ligji i Ri për Rregullat e Trafikut Rrugor. Një nga qëllimet kryesore të këtij ligji, sipas Ministrisë së Infrastrukturës është rritja e sigurisë në trafik.
Me nisje të zbatimit të këtij ligji në periudhën janar-mars është duke u vërejtur rënie e theksuar e aksidenteve me pasoja fatale dhe atyre me dëme materiale, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.
“Referuar statistikave krahasuese te poshtëshënuar vërehet se ka rënie te theksuar te aksidenteve me pasoja fatale dhe atyre me dëme materiale, çka vërehet se edhe angazhimet e PK-se por edhe ndryshimet e ligjit kane ndikuar në mënyrë pozitive ne sigurinë e trafikut”, ka thënë Zyra për Informim e Policisë për Arbresh.info.
Por, në statistikat krahasuese të ofruara nga Policia e Kosovës shihet një rritje në numrin e aksidenteve me lëndime ku për janar-mars 2017 janë 1201, kurse në periudhën e njëjtë të vitit 2016 ishin 1185. Një rritje tjetër e dukshme është në shqiptimin e tiketave ku totali është 87097, përkthyer në përqindje 17.58 më shumë se viti paraprak që ishte 74075.
Pavarësisht këtyre statistikave, janë 3810 aksidente në total që kanë ndodhur në periudhën e njejtë të vitit të kaluar, derisa këtë vit kanë ndodhur 3811 aksidente.
Në vazhdimësi Policia ka apeluar për respektimin e rregullave të komunikacionit nga ana e pjesëmarrësve në mënyrë që të parandalohen aksidentet dhe pasojat e mundshme në njerëz.