Një ligjvënëse në SHBA i bëri thirrje komanisë Facebook të ndalë zhvillimin e monedhës digjitale, si dhe ftoi drejtuesit e kompanisë për të dëshmuar para Kongresit.
Deklarimet e saj janë pjesë e shqetësimeve botërore, lidhur me ndikimin në privatësi dhe në sigurinë e të dhënave, që mund të ketë monedha Libra.
Ligjvënësja demokrate, Maxine Waters, që kryeson Komitetin për Shërbime Financiare të Kongresit, tha se Facebook duhet të ndalë planet derisa Kongresi dhe rregullatorët të mund të shqyrtojnë çështjen.
“Facebook ka të dhëna për miliarda njerëz dhe vazhdimisht ka treguar një shpërfillje për mbrojtjen dhe përdorimin e kujdesshëm të këtyre të dhënave”, tha ajo në një deklaratë.
Edhe ligjvënësi republikan, Patrick Mc Henhry, gjithashtu kërkoi një seancë të Komitetit për nismën e re të Facebook-ut.
Të martën, kompania Facebook ka zbuluar planet për të lëshuar në qarkullim, vitin e ardhshëm, një monedhë të re digjitale, të quajtur Libra.
Facebook tha se njerëzit do të jenë në gjendje të bëjnë pagesa me monedhën nëpërmjet aplikacioneve të tyre, si dhe përmes shërbimit të mesazheve WhatsApp.