Sabien Lilaj beson te kualifikimi. “Motori” i mesfushës së Skënderbeut i bën hapur “presion” Dinamos së Zagrebit.
Edhe pse i vlerëson kroatët, thekson se asgjë nuk e tremb në këtë fazë.
Në Zagreb u shpall lojtari më i mirë nga UEFA, por korçari mendon se këto vlerësime harrohen shpjet, ndaj për t’u futur në histori do vetëm grupet. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 28-vjeçari rrëfen se për të shkuar në grupe, jo vetëm duhet të zhvendosen më lart taktikisht, por duhet që të zotërojnë më shumë topin.
Sabien, sa për qind shanse i jepni ekipit për kualifikimin pas ndeshjes së parë?
Pavarësisht ndeshjes së mirë që kemi zhvilluar në Zagreb, e dimë fort mirë që Dinamo është një ekip më cilësor dhe ka më shumë kualitete. Por, nganjëherë kualitetet nuk janë gjithçka në futboll. Gjithçka e tregon fusha e lojës. Nuk dua ta ndaj me përqindje kualifikimin, por dua vetëm të them që ekipi duhet të jetë i përqendruar dhe të japë maksimumin në fushë. Të dy ekipet kanë shanset e tyre, por varet sesi do të shkojë loja.
Çfarë ju jep më shumë besim se e do ta kaloni Dinamon?
Sigurisht që pjesa e parë e atij takimi na ngroh shumë. Kemi zhvilluar një 45- minutësh gati perfekt, pasi kemi zbatuar me përpikëri urdhrat e trajnerit. Pjesa e dytë ishte disi më ndryshe, Dinamo e rriti nivelin e lojës dhe na vuri në vështirësi. Duke parë ndeshjen e parë dhe rezultatin që është i favorshëm, për vetë golin e shënuar në transfertë, duhet të vijojmë të kemi besim. Por për t’ia dalë, duhet të përsërisim pjesën e parë.
Çfarë ju tremb më shumë te Dinamo?
Të them të drejtën, asgjë nuk më tremb. Ne hyjmë në fushë gjithmonë si të barabartë me rivalët, këtë gjë e kemi bërë edhe në Zagreb dhe do ta përsërisim në Elbasan. Kemi shumë besim te kualitetet tona. Gjithsecili e di se çfarë duhet të japë në fushën e lojës. Besimi do të jetë pjesë e pandarë e jona në 90 minutat e kthimit, por më pas është fusha ajo që do të vendosë se çfarë rezultati do të dalë. Ne dimë vetëm që nuk do të dorëzohemi deri në sekondat e fundit.
Daja ka theksuar që pjesa e dytë nuk duhet përsëritur, si mund të ndodhë kjo? Çfarë mund të bëni ndryshe?
Në pjesën e dytë, Dinamo na vuri në vështirësi. Unë besoj se duhet të mbanim topin pak më shumë në zotërim. Atje bënim vetëm dy pasime dhe më pas e dorëzonim topin. Duhet që në këtë takim të kemi administrim më të mirë të topit. Por, mbi të gjitha, të vendosemi pak më lart taktikisht, pasi Dinamo na detyroi të zbrisnim poshtë në fushë në pjesën e dytë.
A do të kënaqeshit me një barazim në Elbasan?
Në Elbasan na kënaq vetëm kualifikimi, pavarësisht se si vjen ai. Mund të vijë me barazim, me fitore 1-0 apo 2-1, sido që të jetë, unë dua vetëm që të shkojmë në grupe. Kemi arritur deri në këtë pikë dhe do të jetë gjynah që të humbasim në fund.
Keni qenë lojtari më i mirë në fushë për UEFA-n, sa ju ndihmon ky vlerësim?
Nuk ka rëndësi nëse isha lojtari më i mirë i ndeshjes, pasi këtë nuk e mban mend njeri pas një viti apo pas dy vitesh. Sigurisht që kënaqesh nga një vlerësim i tillë, por unë më shumë se këto “tituj”, preferoj të kualifikoj ekipin. Nëse ekipi shkon në grupe, klubi futet në histori. Pasi nuk mbahet mend Lilaj apo ndonjë tjetër, por Skënderbeu.
Gjithsesi, kjo formë që keni arritur pas atij dëmtimi, ju bën që të ndiheni krenar për veten…
Sigurisht që po, për vetë faktin se ka qenë një dëmtim i vështirë dhe jam i lumtur që e arrita formën time. Është e vështirë kur rri shumë larg fushave dhe jam i lumtur që ia dola.
Ku ndryshon Lilaj i Evropës nga kampionati?
Mendoj se është motivimi, të luash në Evropë është diçka tjetër. Në kampionat, pas gjithë këtyre viteve kampion, ishte pak e vështirë të motivoheshe. Por shyqyr që janë ndeshjet e Evropës, pasi në këtë rast “përfiton” edhe kampionati.