Zëvendëskryeministri, Fatmir Lima,j ka marrë pjesë në vënien e gurthemelit të fabrikës për përpunimin e metaleve “Af Metal Technology” në Klinë.
Më këtë rast Limaj, ka thënë se ky është moment i rëndësishëm jo vetëm për Klinën, por edhe për Kosovën.
Limaj ka përgëzuar investitorin, Ahmet Faniqi, i cili jeton dhe punon në Gjermani.
Sipas Limajt, ky është shembulli më i mirë që tregon se diaspora është e lidhur me atdheun, derisa ka ftuar edhe mërgimtarët tjerë të vijnë dhe të investojnë në vendin e tyre.
“Pas një punë të madhe atje janë të interesuar për të investuar në vendlindje dhe janë të interesuar që përvojën dhe kapitalin që kanë arritur me mund e përpjekje ta kthejnë dhe të investojnë në vendin e tyre”, ka thënë Limaj.
Më tutje ai ka thënë se janë dëshmitarë të fillimit të punimeve të një projekti të madh i cili kap shifrën e mbi një milion eurove ku do të punësohen një numër i madh i qytetarëve të kësaj zone.
“Iu sigurojmë se qeveria do të jetë mbrapa për të mbështetur çdo iniciative të tillë konkretë që hap mundësinë investimeve të reja dhe hap perspektivë të re vendit tone”.
Kosova, Limaj thotë se ka mundësi e potencial dhe qeveria do të jenë në krah të tyre.
Ndërsa investitori Ahmet Faniqi u shpreh i lumtur për fillimin e punimeve të kësaj fabrike.
Paraprakisht, Limaj ka zhvilluar një takim me kryetarin e kësaj komune, Zenun Elezaj.
Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, e ka quajtur lajm të mirë për të gjithë fillimin e ndërtimit të kësaj fabrike, derisa ka premtuar mbështetje për investitorët.
“Fabrika na gëzon shumë kur bëhet fjalë për një bashkatdhetar nga Kosova i cili vjen dhe investon këtu. Është një lajm i mirë për të gjithë neve, ne i urojmë suksese investitorit. Do të jemi bashkë dhe te mbështesim si në nivelin lokal dhe që kemi premtime nga niveli qendror, për investimet në këtë fushë”.