Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ka komentuar deklarata e presidentit Hashim Thaçi se ka marrë mbështetje nga ShBA-ja për korrigjimin e kufirit me Serbinë.
Limaj, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të veprojnë për fuqizimin e shtetit dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të gjithë fqinjt duke respektuar interesat e secilit, raporton Ekonomia Online.
Këto deklarata, Limaj i ka bërë pas pjesëmarrjes së tij në vënien e gurthemelit të një fabrike të metaleve në Klinë.
“Ne duhet të veprojmë ta forcojmë shtetin tonë, pavarësinë e Kosovës, të fitojmë sa më shumë njohje, edhe kjo fabrikë është në funksion të forcimit të shtetit tonë. Do të punojmë në drejtim të afirmimit dhe fuqizimit të shtetit tonë, natyrisht punojmë fuqishëm që të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, duke respektuar interesat e secilit shtet”.
“Kosova si shtet po rritet, po fuqizohet, po forcohet, siç e keni parë edhe transformimin e FSK-së, kështu që jemi në rrugën e duhur”.
Ai u ka bërë sërish thirrje partive politike që të bashkohen për fazën finale të dialogut me Serbinë, raporton EO.
“Çështja e dialogut është nacionale, dhe jemi të interesuar që aty të jenë të gjitha forcat politike të Kosovës, për këta arsye kemi shkuar për tu unifikuar në Parlament, sepse po të ishte vetëm objektiv i Qeverisë nuk kemi pasur nevojë që të shkojmë në parlament”.
“Ne duam që të gjithë se bashku të marrim përgjegjësinë për ta drejtuar vendin, të jemi të gjithë unik e të bashkuar për përfundimi e atij dialogu të mundshëm me Serbinë dhe kështu vendi ynë të paraqitet seriozisht, i pjekur politikisht dhe ti mbrojë interesat si tërësi”.
Sipas tij, temat nacionale nuk janë tema të pozitës dhe opozitës, por të shtetit e kombit rreth cilave të gjithë duhet të jenë së bashku.