Kryetari i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj tha sot në Malishevë se ndryshimet e mëdha politike kanë filluar pikërisht në këtë vend.
Në hapje të fushatës zgjedhore në vendlindjen e tij, Limaj tha se projekti i Nismës nuk ka nisur vetëm për Malishevë, por për krejt Kosovën.
Sipas Limajt, tash pas katër vitesh NISMA është në Prishtinë, Parlament dhe Qeveri. Limaj tha se ndihet krenar për atë që bashkë me qytetarët ka bërë për katër vjet. Për këto katër vjet, Nisma ka luajtur një rol të rëndësishëm në politikën kosovare.
Kryetari i Nismës përmendi faktin se për gjithë ata muaj është Nisma që arriti ta mbajë opozitën e bashkuar, ndërsa shoti se nuk do të jenë pjesë e një Qeverie që nuk punon.
“Jam krenar që projekti i Aeroportit dhe Autostradës janë projekte të mia. Jam krenar që në secilin fshat e kemi përmirësuar infrastrukturën rrugore. I sigurova bashkëvendësit e mi se nuk do të bëjmë asnjë veprim, i cili do t’i bënte ata të ndihen keq. Do të bashkëpunojmë me të gjithë ata që e duan Kosovën”. Duke falënderuar bashkëvendësit e tij për mbështetjen që i kanë dhënë Limaj tha se ky vend ka qenë i izoluar dhe i bllokuar nga njerëzit që nuk mendojnë si ata. Kryetari i Nismës ka porositur bashkëvendasit e tij që mos t’i injorojnë tjerët por mos të bëhen si ata.
Në Malishevë ka folur edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi, i cili e përgëzoi kryetarin aktual dhe kandidatin për kryetar Ragip Begaj për punën që ka bërë gjatë këtyre viteve. Sipas tij me këtë punë që ka bërë Nisma në Malishevë është dëshmi që Nisma do të fitojë prapë pa balotazh.
Kryetari aktual i Malishevës, Ragip Begaj, i cili synon edhëe një mandat në zgjedhjet e 22 tetorit tha se qytetarët janë në dijeni se çka ka bërë Nisma mandatin e kaluar. Ai premtoi se do të ndërtojnë shkolla dhe çerdhe të reja, ndërsa ka përmendur investimet që janë bërë gjatë kohës sa ka udhëhequr me Malishevën. Ai po ashtu ka treguar se për katër vjet kanë ndërtuar 120 kilometra rrugë , 130 metra kanalizime, 35 kilometra trotuar, ndërtim të ujësjellësit, në bujqësi kanë ndërtuar 10 stalla, ndërtimin e serave e tjera.
Begaj para qytetarëve të Malishevës premtoi se fëmijët më nuk do të jenë në rrezik nga qentë endacak si dhe u shpreh i lumtur që gjatë mandatit të tij nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes së ndonjë qytetari nga ethet hemorragjike. Begaj premtoi se në mandatin e ardhshëm do të ndërtojnë 20 shtëpi për kategoritë e dala nga lufta.