Nisma për Kosovën ka bërë hapjen zyrtare të fushatës në Gjilan. Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka ftuar qytetarët e Gjilanit që të ndëshkojnë me votë atë që i kanë mashtruar.
“Secili që ka ardhur këtu ka mashtruar, por nga ne nuk do të dëgjoni fjalë e premtime qysh kanë bërë atë. Nëse jeni të kënaqur mbështesni qeverisjen aktuale, nëse jo atëherë ndryshojeni atë qeverisje. Ftoj të gjithë juve që të ngriheni dhe t’i ndëshkoni ata që kanë tradhtuar besimin tuaj”, ka theksuar Limaj.
Limaj tha se nga Nisma do të dëgjohen asnjëherë premtime e fjalë të kota, por me punë do të dëshmohet e kundërta, raporton Ekonomia Online.
“Ne nuk vijmë këtu duke shfrytëzuar pozitat tona shtetëror me dhënë premtime e me mashtrime. Nga ne nuk do të dëgjoni asnjëherë fjalë të kota. Ne kemi ardhur në Anamoravë dhe asnjëherë nuk kemi premtuar se do të i’ua bëjmë këtë ose atë sepse ne mendojmë se këtë e kemi obligim”.
Kandidati i kësaj partie për kryetar, Bajram Hasani njëherësh edhe ministër i Tregtisë dhe Industrisë ka prezantuar pesë pikat kryesore të programit të tij.
“Janë pesë projekte kapitale: krijimi i një zone të lirë ekonomike; ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza; Rrugë qarkore; Ndërtimi i stadiumit me standarde evropiane dhe krijimi i trafikut urban”, ka shtuar ai.
Hasani tha se nuk do të premtojnë gjëra të cilat nuk do të mund t’i realizojnë.
“Ne nuk premtojmë gjëra të mëdha, ne flasim për ato që mund t’i realizojmë e jo të bëjmë që qytetarët e Gjilanit të largohen nga këtu”.
Hasani më pas prezantoi edhe kandidatët për asamble komunale të cilit i quajti ekip fitues, raporton EO.