Nisma Socialdemokrate ka vazhduar aktivitetin politik për ditën e sotme në Mitrovicë.
Kreu i kësaj partie Fatmir Limaj bashkë me Billall Sherifin dhe ministrin në largim Endrit Shala takuan strukturat e partie të kësaj dege, me ç’rast u prezantuan edhe kandidatet për deputetë nga Mitrovica Mustafë Haziri dhe Hyrije Gashi-Kodra.
Kandidati për kryeministër Fatmir Limaj kërkoi mbështetje për kandidatet dhe Nismën, përderisa theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 6 tetorit.
“Ka shumë mundësi që deputetët e legjislaturës së ardhshme do të vendosin lidhur me marrëveshjen me Serbinë, që përcakton se si do të jetë Kosova”.
“Tema e parë e qeverisë së ardhshme është pikërisht dialogu andaj apeli im është ta merrni shumë seriozisht këtë proces që kudo që të shkojmë te tregojmë mbështetje të tregojmë se çfarë procesi është 6 tetori”.
“Unë e di çka do të thotë të marrësh vendime nga të cilat varet jeta dhe fati i qytetarëve të Kosovës”.
Limaj tha se me përmbushjen e pesë parimeve që kanë paraqitur – dialogu, reformat në drejtësi, paketa sociale, fuqizimi i bujqësisë dhe diaspora – do ta transformojnë vendin drejt një procesi të integrimeve evropiane.
Ndërsa Billal Sherifi tha se Limaj shquhet si njeri integrues dhe mbi të gjitha unifikues, gjë që sipas tij nuk e kanë asnjë nga kandidatët tjerë.