Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherit edhe i propozuari i Qeverisë së Kosovës për kryenegociator të Kosovës në bisedimet me Serbinë thotë se Kuvendi nuk po tregon gatishmëri dhe është i papërgjegjshëm në këtë temë.
“Nuk jemi të gatshëm, jemi të papërgjegjshëm. Parlamenti nuk është me tregu veç çka nuk dojnë, por të merr detyrat dhe përgjegjësitë e veta. Qeveria qartë e ka deklaru se për këtë temë duhet të ndërtohet platforma se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të diskutohet,” është shprehur Limaj në seancën e jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë, raporton EkonomiaOnline.
Sipas tij, Kuvendi i Kosovës është shndërruar në institucion të “kukamës”, siç e ka quajtur ai, duke kërkuar që të marrin përgjegjësi të përbashkët në fazën finale të dialogut.
“Institcuion i kukamës, shtatë vite veç po kukatë rreth dialogut. Bota po ecë kërkush nuk e pret Kosovën. Ne duhet me bo hapin, nëse vërtetë dojmë me kthy në normalitet këtë çështje duhet të marrim përgjegjësinë bashkë. Gjithmonë kemi me pasë nevojë me qenë bashkë, kjo ndasi e zbehë pozicionin e Kosovës, dhe për shtatë vite kemi tregu mospërgjegjësi,” deklaroi Limaj.
Në Kuvend, po vazhdon debati për konsensusin rreth një rezolute që do të vendoste parimet e rrjedhës së negociatave nga ana e palës kosovare.