Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se takimi i djeshëm me presidenten Vjosa Osmani i partive politike ishte obligim kushtetues i drejtueses së Presidencës së Kosovës.
Ai tha se partitë e mëdha shqiptare në takim nuk treguan interes për të pasur një shumicë të votave të deputetëve të tyre për të vazhduar me formimin e Qeverisë së re të vendit pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
“Pas zhvillimeve të së dielës, presidentja e ka kryer një obligim kushtetues dhe institucional. Në raste të tjera, kur dështon zgjedhja e qeverisë, presidentja është e obliguar t’i thërrasë partitë politike për të biseduar për situatën politike dhe për të dëgjuar nëse ka një shumicë që t’ia japë mandatin partisë së dytë.”
“Këto konsultime janë të rregullta dhe kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Ne aty secili e kemi pasur rastin ta pyesim presidenten se çka tani? A ka gjasa që të krijohet një shumicë? Kjo që do të kalonte në parlament dhe që do të kishte shumicën për të formuar qeverinë.”
“Shumica e partive shqiptare në tërësi e kanë demonstruar edhe një herë se nuk ka shumicë parlamentare. Asnjëri nuk është interesuar nëse do të ketë një mandatar të dytë për të provuar në parlament. Pak a shumë, ky ka qenë boshti i diskutimeve,” ka thënë Limaj në Klan Kosova.