Kryetari i Nismës Socialdemokrate i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tij ka bërë homazhe me rastin e 23 vjetorit të Epopesë së Rahovecit. Kreu i Nismës ka përkujtuar bashkëluftëtarët e tij të rënë 23 vite më parë.
“Rënia e tyre heroike ishte goditje e madhe për të gjithë ne, por po kaq e madhe ishte vendosmëria për të vazhduar luftën tonë të drejtë deri në fitore”, thuhet ndër të tjera në postimin e Limajt.
Postimi i plotë:
“Sot, si çdo vit tjetër, me bashkëpunëtorë nderuam shenjat e lirisë dhe të lavdisë sonë kombëtare, shenja këto që bënë të mundur që shteti ynë të frymojë lirshëm. Sot, në 23 vjetorin e Epopesë së Rahovecit, nderuam nga afër me pietet e krenari të gjithë dëshmorët e rënë në këto beteja, bashkëluftëtarët e mi, që heroikisht ranë për të mos vdekur kurrë; Agim Çelaj, Sadik Shala, Afrim Krasniqi, Hamdi Berisha, Gani Paçarizi, Habib Berisha, Liman Gegaj dhe Ramadan Morina. Rënia e tyre heroike ishte goditje e madhe për të gjithë ne, por po kaq e madhe ishte vendosmëria për të vazhduar luftën tonë të drejtë deri në fitore. Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë në Epopenë e Rahovecit, lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! I paharrueshëm qoftë kujtimi për ta!” Fatmir LIMAJ