Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, për tri vite qeverisje ka bërë vetëm arnim të projekteve të papërfunduara të qeverive të kaluara, projekte të cilat i kishte kritikuar. Kështu ka vlerësuar kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një bisedë me Ekonomia Online.
Sipas tij, gjatë kësaj qeverisjeje asnjë sektor i vendit nuk ka pasur përmirësime dhe se kjo qeveri ka shpërndarë para “si me postë” për familjet në nevojë, duke mos pasur ndikim në përmirësim të gjendjes.
“Me atë që kam parë unë nuk ka asnjë gjë që ka lëvizur, përveç harnimit të projekteve të mbetura që dikur ata i kanë sharë. Ma thoni një projekt, ma thoni në një sektor që ka përmirësime, ma thoni vetëm një sektor ku ka ecur Kosova, që është shtuar dinamika”.
“Krejt çka ka bërë kjo qeveri është do para që janë mbledhur e janë shpërndarë si me postë, kategorive, familjeve që janë në gjendje të rëndë. Në një farë mënyre qeveria jonë është kthyer në një lloj zyre kontabiliteti të shpërndarjeve të parave. E ata që e dinë çka është ekonomia e tregut, paraja ka vlerë kur dyfishohet, ajo dyfishohet kur investohet. Kur ata që i marrin e dinë ku i investojnë. Kjo çka ka ndodhur, fatkeqësisht deri më tani kemi një lloj administrimi të mirëmbajtjes së varfërisë dhe asgjë më tepër”, ka thënë lideri i Nismës.
Limaj është shprehur gjendja ekonomike në vend është alarmante dhe nuk ka klimë për zhvillimit të biznesit, pasi sipas tij, qeveria nuk ka marrë asnjë vendim që t’iu shërbejë bizneseve.
Ai ka thënë se vendi gjendet në këtë gjendje për faktin se qeveria e vendit dyshon edhe në vetë ekzistencën e shtetit të tyre.
“Asnjëherë nuk ka qenë gjendja ekonomike më e keqe në Kosovë. Asnjëherë biznesi i Kosovës nuk ka qenë në klimë më të papërshtatshme për biznesin. Biznesi i Kosovës po largohet nga Kosova, me shumicë firmat serioze janë duke u larguar e investuar në vende në rajon e përtej rajonit, me qindra miliona dollarë e euro janë duke u larguar nga Kosova. Kjo është gjendje alarmante sepse nuk ka klimë të biznesit në Kosovë. Klima e biznesit në Kosovë është kur ka dinamikë, kur qeveria ka dinamikë, kur investon, kur hap projekte, kur hap punë, kur merr vendime të rëndësishme. Ma thoni një vendim që i ka shërbyer biznesit të Kosovës deri më sot nga kjo qeveri. Kjo qeveri është sikur çdo sektor tjetër, çdo gjë këta shtetin e shohin me dyshim. Vetë ekzistencën e shtetit, këta bashkëpunëtorin e shohin me dyshim. Paranojë në biznes, paranojë në administratë, paranojë në polici, paranojë në shëndetësi, paranojë te arsimi, paranojë te sindikatat, këta janë paranoikë në çdo gjë. Në fakt këta dyshojnë në vetë shtetin e tyre”, ka thënë Limaj, për EO.
Kryetari i Nismas ka shprehur shqetësimin edhe me largimin e fuqisë punëtorë nga vendi, sipas tij, nëse vazhdon situata e njëjtë do të ndalet tërësisht zhvillimi ekonomik.
“Shumë këto janë me pasojë afatgjatë. Jo vetëm që do të mbesim pa fuqi punëtore, po mungesa e fuqisë punëtore praktikisht këtu ta ndalë zhvillimin ekonomik. Sot djem dhe vajzat tona të reja shkojnë e kontribuojnë në fonde pensionale në vendet e rajonit, në zhvillimin e vendeve të rajonit. Ky vend kështu nëse vazhdon po tkurret, tkurret ekonomia, zbehet dinamika e zhvillimit, dalëngadalë tkurret edhe mirëqenia jonë sociale. Pa fuqi punëtore nuk ka dinamikë, nuk ka zhvillim, nuk ka mundësi të reja edhe kjo është një nga ato që janë duke i ndodhur kësaj qeveria e cila as një masë preventive nuk ka marrë, nuk e ka as shqetësim të asaj që po ndodh. Po t’i pyesësh ata thonë ma mirë jemi tash se sa kemi qenë përpara. Dilni nëpër fshatra e qytetet të Kosovës e shihni çfarë është gjendja, me i pyet ata, ata flasin si në kohën e Enver Hoxhës, flasin shifra krejt në shpërputhje me realitetin edhe kjo tregon qasjen e tyre ndaj gjendjes e problemeve të cilat ballafaqohen sot vendi, janë indiferent për më tepër paraqesin pasqyrë të rrejshme të gjithë asaj që po ndodh në Kosovë”, ka theksuar Fatmir Limaj.