Limaj: Projektligji për demarkacionin jep mundësi për korrigjimin e gabimeve me Malin e Zi

Prishtinë | 20 Mar 2018 | 18:54 | Nga Donika Osmani

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, gjatë fjalimit në foltore të Kuvendit ka thënë se projektligji për demarkacionin jep mundësi që diskutimi me Malin e Zi për gabimet eventuale gjatë punës së komisionit të parë, raporton Ekonomia Online.

“Besoj që sot të gjithë duhet ta diskutojmë këtë projektligj si mundësi për ta përbyllur këtë temë dhe me përmbyll këtë temë duke mos pasur dilema rreth votës sonë. Projektligjin duhet ta shohim si mundësi me palën malzeze për të diskutuar eventualisht lëshimet që janë bërë gjatë kohës së komisionit të parë. Kur po flasim për mundësitë që të korrektohet gjatë gjithë vijës kufitare mendoj që këtë debat duhet ta bëjmë në këtë drejtim dhe mësimet që mund t’i merr komisoni që të mos përsëriten gabimet e grupit paraprak”.

“Është e vërtetë se kemi një raport të ekspertëve që ka qenë kundër raportit të kaluar dhe është e mirë që ky raport është pjesë e marrëveshjes. Besoj se nuk kemi çfarë të fshehim nëse ka prova le të shkojnë e të bisedojnë me palën malazeze. Nuk mjafton na me nxjerr konkluzione e me thënë që kështu është e ndryshe nuk bën.”

Limaj ka thënë se marrëveshja e demarkacionit që sot gjendet në Kuvend është zgjidhje më e mirë sesa Arbitrazhi.

“Unë besoj që kjo marrëveshje që ka ardhur këtu jep mundësi më mirë se arbitrazhi sepse i jep mundësinë edhe njëherë me u ulë me palën malazeze dhe mendoj se kjo është shumë më mirë se sa me qenë në arbitrazh”.

Limaj kërkoi nga deputetët që ta miratojnë këtë marrëveshje për tri arsye.

“Ju kisha lutur dhe ftuar që të gjithë deputetët sot të japim, të krijojmë disa mundësi për vendin dhe unë e di që sot do të krijojmë disa mundësi,  e para grupit punues, e dyta mundësi lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe e treta mundësi për integrim të vendit”.

 

Të ngjashme