Linja 3 e Trafikut Urban në Prishtinë ka filluar një protestë para ndërtesës së Komunës së Prishtinës, kundër kombibusëve ilegal që qarkullojnë në këtë linjë.
Nga ora 8 e mëngjesit kanë filluar protestën, ku kanë parkuar autobusët para komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Në thirrjen e tyre thuhet “Duam pastrimin e tregut nga taksitë ilegal (kombibusët)!”
Kjo linjë e autobusëve ka paralajmëruar edhe pasagjerët e linjës 3 se nga 1 korriku nuk do të vazhdojnë mujoret e lëshuara nga Trafiku Urban, përfshirë edhe pensionistët.
Skender Vitija , operator në Trafikun Urban Linja 3, ka thënë se arsyeja se përse kanë dalur sot që të protestojnë para objektit të Komunës së Prishtinës ka të bëjë me trafikun ilegal.
“Arsyeja pse ne sot protestojmë është pikërisht prej trafikut ilegal, prej kombi busëve por edhe prej kerreve tjera sidomos prej kombi busëve të cilët janë të atakuar në linjën 3 janë ndoshta 200 apo 300 edhe ne e kemi orarin çdo dhjetë minuta të operojmë edhe ashtu operojmë ka mundësi ndonjëherë në mëngjes ose në mbrëmje dikush se mban këtë linjë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se prej një korrikut nëse nuk ndërmerret ndonjë masë nuk do të vazhdojnë mujoret e lëshuara nga Trafiku Urban, përfshirë edhe pensionistët.
“Tash kemi lajmëruar që prej të parit nëse nuk merret ndonjë masë nëse nuk na vazhdojnë kontratat, nëse nuk na bëjnë pagesë për pensionistë, për mujore si është rregullorja me u nxjerr përqindja ne nuk di ti bajmë asnjë”, ka pohuar Vitija.
Kurse nënkryetari i Komunës së Prishtinës Dardan Sejdiu, ka thënë se taksitë ilegalë nuk janë brengë vetëm e linjës 3 por e të gjithëve.
“Mendoj se brenga e linjës numër 3 sa i përket tregut të zi është brengë jo vetëm e tyre por edhe e jona sepse ne paguajmë kredi pra ne i kemi 30 autobus që operojnë në linjën numër 4 e këta autobus sikurse edhe linja numër 3 kalojnë përgjatë shiritit në qendër të Prishtinës”, ka thënë ai.
E sa i përket paralajmërimeve të operatorëve të linjës 3 të Trafikut Urban se prej një korrikut nëse nuk ndërmerret ndonjë masë nuk do të vazhdojnë mujoret e lëshuara nga Trafiku Urban, përfshirë edhe pensionistët, Sejdiu ka thënë se kjo është çështje me të cilën duhet të merret Trafiku Urban e jo Komuna e Prishtinës.
“Ne kemi marrëveshje me Trafikun Urban dhe marrëveshja jonë është që në linjën 4 dhe në linjën 3t të barten pensionistët pa pagesë kjo është marrëveshja që e kemi ne, përtej kësaj Trafiku Urban është përgjegjës për nën pagesat që iu bërë nënkontraktorëve të vet, pra ne si komunë lidhim marrëveshje me atë që e ka linjën 4 dhe linjën 3 e ata më pastaj merren vesh me nënkontraktorët e tyre. Pagesat duhet të trajtohen nga Trafiku Urban e jo nga Komuna e Prishtinës e në fund fare shërbimi ndaj qytetarit në transport publik duhet të jetë në bazë të orarit dhe ashtu siç e kanë edhe me marrëveshje”, ka thënë ai.