Komuna e Lipjanit ka bërë të ditur se gjatë ditës kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti dhe drejtoresha e Shëndetësisë dhe Përkujdesjes Sociale, Vlora Limani-Hajnuni, kanë marrë pjesë në marshin për vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit të organizuar nga Kuvendi i të Rinjëve të Lipjanit.
Drejtoresha Limani-Hajnuni tha se ka nevojë për organizime të tilla, sidomos kur flitet për kancer.
“Kanceri i gjirit është njëra ndër sëmundjet që vret me mijëra gra në gjithë botën, andaj duke parë rrezikun e madh të kësaj sëmundje ftoj të gjitha gratë që informohen sa më shumë sepse nëse të zbulohet në fazat e hershme të zhvillimit të saj sepse, kjo sëmundje mundë të trajtohet”, ka thënë drejtoresha Hajnuni
Linda Shahini, kryetare e Grupit të Grave në Lipjan, foli për ligjëratat që janë mbajtur në lokalitete e ndryshme të Komunës së Lipjanit e që për synim kanë pasur ndërgjegjësimin e kësaj sëmundje.
Marshi i sotëm i mbajtur në Lipjan, u realizua në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për sëmundjen e kancerit të gjirit, njofton Klan Kosova.