Në Lipjan sot u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Rexhep Hotit, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, për implementimin e Programit Nacional për Rininë për të gjithë nxënësit dhe studentët e kësaj komune.
“Programi Nacional për Rininë do të realizohet në formë të garës dhe nuk do të lë anash asnjë nxënës a student. Ky program jo vetëm që do t’i shpërblejë më të mirët dhe do të nxjerrë në pah talentët, por në veçanti do të shtojë gjallërinë nëpër shkolla, rrugë e qytet. Përmes garës, nxënësit do të kenë mundësi që në mënyrë atraktive ta praktikojnë atë që mësojnë”, tha Koordinatori Hoti.
E kryetari i Lipjanit potencoi se do ta mbështesin programin sepse është një program i veçantë.
“Jo vetëm si detyrë, por ua them me vullnet të plotë se e vlerësoj shumë këtë program. Ne do ta mbështesim programin dhe ju falënderoj juve që keni marrë një iniciativë të tillë ku do të marrë pjesë edhe Komuna e Lipjanit. Do të jemi të përkushtuar ta zbatojmë në mënyrën më të mirë të mundshme ”, tha Ahmeti.
Koordinatori Hoti ishte i shoqëruar nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Morina-Bunjaku dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri të cilët theksuan mbështetjen e ministrive që përfaqësojnë për programin.
Qëllimi i marrëveshjes së bashkëpunimit është asistimi i ndërsjellë për implementimin e Programit Nacional për Rininë si dhe aranzhimin e përbashkët të aktiviteteve që kanë për synim promovimin e diturisë, kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe sportit.