“Liria ka Emër” viziton nënën e Thaçit në Burojë: Drejtësia do të triumfojë – Presidentin e presim në shtëpi

Prishtinë | 15 Shk 2026 | 11:52 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesit e platformës qytetare Liria ka Emër, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, vizituan sot në Burojë të Drenicës nënën e Hashim Thaçit, Hyrë Thaçi.

Vizita u zhvillua në një moment vendimtar, kur procesi gjyqësor në Hagë po hyn në fazën finale. Përfaqësuesit e platformës shprehën solidaritet dhe mbështetje të plotë për nënën Hyrë dhe familjen Thaçi, duke theksuar besimin e tyre në triumfin e drejtësisë.

Gjatë takimit, ata e njoftuan gjithashtu për marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, si një shprehje e mbështetjes popullore për çlirimtarët tanë që po gjykohen padrejtësisht në Hagë.

“Qëndrojmë pranë nënës Hyrë me respekt dhe mirënjohje për sakrificën e saj. Besojmë se drejtësia do të triumfojë dhe se Presidenti Thaçi do të kthehet sa më shpejt në shtëpi, pranë familjes dhe popullit të tij”, tha Eliza Hoxha.

Ndërkaq, Ismail Tasholli u shpreh se Presidenti Thaçi i mungon Kosovës dhe familjes së tij. “Ai i mungon vendit tonë në këtë kohë sfidash. Kemi shumë punë për të bërë dhe besojmë se do të rikthehet për të vazhduar kontributin e tij”, tha Tasholli.

Nga ana e saj, nëna Hyrë falënderoi përfaqësuesit e platformës për vizitën, solidaritetin dhe mbështetjen e treguar në këtë moment vendimtar.

Të ngjashme