Liria si pjesë e politikës, këtij “sporti” tejet të rëndë

Prishtinë | 06 Nën 2019 | 14:48 | Nga Skënder Berisha

Përtej çdo përkufizimi, secili e kupton politikën ndryshe, nga të tjerët, apo objektivisht siç është. Posa thuhet “objektivisht siç është”, është vënë dilema, është diskutabile, për shumë arsye.

Nëse e kuptojmë politikën si art të së mundshmes, apo vijim i luftës me metoda tjera, na detyron ta ulim të kuptuarit e saj në art e forcë për qasjen e parë, apo forcë dhe art për të dytën. Prandaj, duhet zhveshur nga meditimet përtej artit dhe luftës.

Aspekti i parë, ku lind xixa e “përzierjes” me politikë, apo “shikimi i parë”, përbën cytjen thelbësore për t’u bërë pjesë apo përbërës i saj. Dashur pa dashur, të gjithë jemi material i saj, pavarësisht “shikimeve”, por esenca e shkëndijës, lidhet me këtë fillesë.

Motivi i prekjes së parë, rezulton me ecurinë e mëtejme. Kur në thelb, politika synohet të bëhet mjet i arritjes së qëllimeve pragmatike si liria, fillon njerizimi i saj, duke u bërë qenie, në rritje, qenie në veprim. Të tilla janë “prekje hyjnore”, për motivin si lind e kur lind. Pashkëputshëm, aty është edhe Deus-i i saj.

Liria është esenca e gjithë kësaj. Liri e projektuar brenda unit të secilit që kundron këtë vlerë esenciale të qenies njerëzore si sublimim i tërë aktivitetit njerëzor.

Liria e projeksionit tonë, projeksionit ideor për veten, familjen, kombin dhe civilizimin, fillon të jetësohet në secilin nga ne, të ndikuar nga “shikimi i parë”. Për fat të mirë, një pjesë e qytetarëve, merret me të drejtë me lirinë pasi të arrihet ajo, paçka se ishte i shurdhër dhe i verbër gjatë procesit të krijimit të lirisë, duke ngjyer tash në vlerat e saj, gishtin e pëlqyer, madje edhe me gishtin e mesit.

Shtysat e kësaj superstrukture ideore që mëton njerizimin e saj, nxit mekanizmat tjerë, praktik për arritjen e lirisë. Fuqizimi i idesë tonë, me njëjtësimin e ideve të ngjashme, drejt një strukture të re që vije, me lirinë, protagonistët dhe tërë “materiali” hipotetik liridashës.

Të tillë e shoh përçapjen e fillesës, për liri. Pasi këto vullnete, me krijimin e rrethanave nga ata, arrijnë qëllimin nominal, si p.sh. largimin e okupatorit. Tashmë, liria bëhet material më i lirë, më fragjil, më shpërdorues, madje më koketues me injoruesit e idesë fillestare për liri, bërjen e lirisë realitet.

Në këtë situatë të krijimit të inflacionit të fjalës dhe gjendjes liri, lindin “dashuriçkat e reja në shikim të parë”, nga kontribuuesit, shantazhuesit, mëtuesit e lirisë, të projektuar në dimensione të reja, kërkesa të reja dhe kufij të rinj. Ky dimension i ri, synimin e parë e ka përkufizimin. Pas kësaj, vije gjykimi dhe dënimi, për konceptin, të konceptuarit dhe frytet e lirisë.

Këtu bëhet përcaktor e tashmja, duke gjykuar lehtas dhe pa principe të kaluarën si pengesë për lirinë aktuale, dimensionin e zmadhuar të rizbuluesve apo rikrijuesve të rinj të lirisë. Kjo ide e lirisë nga pikëvështrimi aktual me metoda e mjete të shpikura e material që lehtë skadon, madje edhe në aspektin teorik si përkufizim të lirisë, bëhet pa njohjes thelbësore për shtërzimet gjatë lindjes së saj.

Nëse ky vlerësim, do të rikrijoj dimension të ri për lirinë, e nesërmja, sërish, me konceptet e reja, do ta gjykoj atë. Edhe në rastin e parë, edhe në të dytin që do të vije pas kësaj, do të jenë gabim. Konteksti i kohës dhe hapësirës obligon përcaktuesit e koncepteve të thellohen në kronologjinë e procesit, të veprimit brenda konteksteve jashtë subjektit ndërtues të tyre.

Si e tillë, liria mbetet gjithsesi esenca e veprimtarisë njerëzore në kontekstet e së shkuarës, aktuales dhe të ardhmes, me mëtim të ndërtimit të situatave të reja, mundësive të reja të saj, duke e begatuar, duke ia shtrirë kuptimin, gjerësinë e thellësinë, përtej imanencave të kreatorëve fillestarë, mundimtarëve të paepur ndër gjenerata për të, kur liria as nuk dukej në horizont, por ekzistonte liria brenda tyre dhe besimi për arritjen e saj.

Në ndërkohë, krijohen vlera e gjendje të reja, me konceptues e realizues të rinj që gjithsesi, lirinë e bëjnë më të privatizuar, me mjete popullore, si pjesë të politikës, ashtu siç ishte dhe mbetet, këtij “sporti” tejet të rëndë!.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme