Katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të akuzuar për sulmin kundër Kuvendit të Kosovës tani e tutje do të mbrohen në liri.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj të akuzuarve për terrorizëm: Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti, duke aprovuar kështu kërkesat e avokatëve mbrojtës.
Këtë e ka konfirmuar avokati mbrojtës Tomë Gashi në profilin e tij në “Facebook”.
“Në seancën e mbajtur sot më 22.08.2017, Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar katër aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE ! Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti nga arresti shtëpiak, respektivisht nga paraburgimi”, shkroi Gashi.
Këtë vendim trupi gjykues e ka marrë në përfundim të seancës së sotme në të cilën aktivistët pasi dëgjuan leximin e aktakuzës u deklaruan të pafajshëm.
Gjatë kësaj seance po ashtu u dha fjala hyrëse ndërsa pjesa e gjykimit ku u dëgjua dëshmitari i ftuar nga prokuroria u mbyll për media dhe publikun.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 25 gusht 2017 në ora 10:00.