Administrata Tatimore e Kosovës ka liruara përkohësisht nga pagesa e TVSH-së, importet e grurit dhe miellit.
Në një njoftim për medie të ATK-së, është thënë se me qëllim të zbatimit të Vendimit Nr. 01/07 dhe 01/09 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe vendimit të Ministrit të Financave dhe Transfereve Nr. 28/2020 të datës 23.03.2020, për marrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me Corona Virus – COVID 19, Administrata Tatimore e Kosovës, lirohon përkohësisht nga pagesa e TVSH-së, të gjitha importet e grurit dhe miellit, për prodhimin e bukës dhe produkteve të bukës.
“Të gjitha bizneset prodhuese si dhe kontraktuesit e tyre, lirohen nga pagesa e TVSH-së me rastin e importimit të grurit dhe miellit, që përdoren për prodhimin e bukës dhe produkteve të bukës, pa pasur nevojë që të parashtrojnë kërkesë të veçantë për lirim në Administratën Tatimore të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Sipas ATK, pavarësisht se importi i grurit dhe miellit, i cili përdoren për prodhimin e bukës dhe produkteve të bukës, bëhet nga vet prodhuesi apo kontraktori i tij në emër të prodhuesit, lirohet nga pagesa e TVSH-së me rastin e importimit, pa parashtruar kërkesë të veçantë për lirim në Administratën Tatimore të Kosovës.