Të gjitha importet e grurit dhe të miellit për prodhimin e bukës dhe produkteve të saj janë liruar përkohësisht nga pagesa e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) me vendim të Ministrisë së Financave dhe Transfereve.
Ky vendim ka hyrë në fuqi që nga dita e martë, dhe është në kuadër të ndihmave për bizneset dhe qytetarët në kohën e përtalljes me pandeminë koronavirus, shkruan KOHA.
Ministri i Financave, Besnik Bislimi, ka thënë se duke u bazuar në këtë vendim me automatizëm pa pasur nevojë për të parashtruar kërkesë të veçantë lirohen përkohësisht nga taksa doganore dhe TVSH-ja të gjitha subjektet biznesore prodhuese apo kontraktuesit e tyre, të cilët merren me importin e lëndës së parë.
Vendimi është marrë në mbështetje të Rregullores Nr. 05/2020 për fushat e përgjegjësitë administrative të Zyrës së kryeministrit dhe të ministrive, me qëllim të zbatimit të vendimit të Qeverisë për marrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me COVID-19.
Për zbatimin e këtij vendimi obligohen Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.