Bujqve ferizajas u ofrohet zbritje në blerje të derivateve.
Kjo u mundësua nga një marrëveshje në mes të komunës së Ferizajt dhe kompanisë HIB Petrol, e cila i mundëson bujqve të kësaj komune të furnizohen me derivate të naftës pesë cent më lirë në litër se sa çmimi i tregut.
“Komuna e Ferizajt për herë të parë po ndërmerr një marrëveshje të tillë për të zvogëluar sadopak shpenzimet e bujqve ferizajas”, ka deklaruar drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami.
Kjo iniciativë është ndërmarrë pas kërkesave dhe ankesave të bujqve për koston e shpenzimeve të tyre dhe ditëve në vijim pritet të lansohet edhe projekti i cili do t’i mundësojë atyre që përmes NIF-it (numri identifikues i fermerit) ta shfrytëzojnë këtë të ulje çmimi.