Lirohet nga të gjitha akuzat ish-ministri i Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq

Prishtinë | 12 Kor 2023 | 13:27 | Nga Ekonomia Online

Ivan Todosijeviq është liruar nga të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij me vendim të Gjykatës Supreme në Prishtinë, ka konfirmuar avokati i tij, Nebojsha Vlajiq.

Vlajiqi tha se vendimi është i formës së prerë, se nuk ka më të drejtë ankese.

“Gjykata Supreme mori një vendim dhe e liroi Ivan Todosijeviqin nga të gjitha akuzat dhe ai vendim është përfundimtar, nuk ka më asnjë të drejtë ankese kundër tij dhe nuk do të ketë gjykime të mëtejshme, ai është një njeri i lirë”, tha Vlajiqi.

Ai shtoi se përfundimisht u dëshmua ajo që u pretendua që në fillim, përkatësisht se secili ka të drejtën e lirisë së fjalës.

“Gjykata më në fund e pranoi atë që ne pretenduam që në fillim, se ajo për të cilën akuzohej Todosijeviqi nuk është vepër penale por i përket lirisë së fjalës, mendimit dhe shprehjes dhe se ne kemi të drejtë të kemi mendim për ngjarjet e së kaluarës. dhe se askush nuk ka të drejtë të gjykojë nëse mendimi ynë është i saktë, i vërtetë apo jo”, ka shtuar Vlajiq.

Ivan Todosijeviq u dënua në shkallë të parë në fund të vitit 2019 në Prishtinë me dy vjet burgim për deklaratën që bëri në përkujtimin e 20 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s në Zveçan, kur deklaroi se rasti i Reçakut ishte shpikur dhe përdorur si justifikim për bombardimet.

Vendimi i shkallës së parë u konfirmua më vonë nga Gjykata e Apelit në Prishtinë, ndërsa avokatët mbrojtës të Todosijeviqit më pas u ankuan në Gjykatën Supreme.

Kolegji i asaj gjykate vendosi ta kthejë çështjen në gjykim të ri.

Kolegji gjyqësor i Gjykatës Themelore në Prishtinë e dënoi Todosijeviqin, në procedurë të përsëritur, me një vit burg për deklaratën për Reçakun, të cilën gjykata e vlerësoi si nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe intolerancës.

Të ngjashme