Është liruar ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, i cili, të martën është arrestuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, që njihen edhe si Gjykata Speciale.
Mustafa ishte dërguar në bazën e Misionit të Bashkimit Evropian (BE) për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) në Fushë Kosovë, vetëm disa orë pas bastisjes së hetueseve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në banesën e familjarëve të heronjve të luftës, Fahri dhe Bahri Fazliu, në Prishtinë.
Përkundër se ende nuk dihen arsyet e arrestimit të ish-deputetit të Partisë Demorkatike të Kosovës (PDK), besohet se arrestimi i tij vjen mbi bazën e marrjes së disa dëshmive shtesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ku po gjykohen ish-eprorët e UÇK-së për krime të pretenduara lufte.
Albanian Post ka provuar gjithashtu të kontaktojë me Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të Holandës lidhur me arrestimin e komandant Remit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Mustafa ka qenë dëshmitari i 13-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili, përveç përshkrimit të ditëve të para në UÇK, ka dëshmuar për pozitën e tij, komunikimin me shtabin e përgjithshëm dhe mënyrë e funksionimit të tyre.