Barcelona e ka emëruar Quique Setienin si trajner të ri, në vend të Ernesto Valverdes së shkarkuar. Tani, katalonasit do ta kenë në krye të skuadrës një person që ka shumë “armiq” në botën e futbollit.
Pasi që nuk është frikësuar asnjëherë ta tregojë mendimin e vet haptazi, Quique Setien i ka humbur disa miq gjatë rrugëtimit të tij si trajner. Për këtë arsye, Marca i ka grumbulluar disa konfliktet e tij më të mëdha ndër vite, transmeton Gazeta Express.
Mauricio Pellegrino
Pasi Leganes e mposhti Real Betisin me rezultat 3:0 sezonin e kaluar, Setien ishte kritik nga stilit të lojës të skuadrës së drejtuar nga Pellegrino.
“Atyre s’u intereson të luajnë mirë. Ata i bëjnë katër gjëra në mënyrë spektakolare me lojtarët që i kanë. Por, nëse nesër u kërkoni të luajnë si ne, atëherë do ta kenë shumë të vështirë”, kishte thënë Setien.
Kur i dëgjoi këto komente, Pellegrino u përgjigj.
“Të gjitha ekipet e mia luajnë në stile të ndryshme. Futbolli i mirë vjen në shumë forma e jo vetëm në një”, ishte përgjigjur argjentinasi.
Santiago Canizares
Legjenda e Valencias, Santiago Canizares e kishte kritikuar Setienin pas incidentit me Leganes.
“Unë gjithmonë i kam preferuar trajnerët që kanë më shumë pikë sesa lëvdata”, kishte shkruar Canizares.
Joseba Etxeberria
Pa e emëruar Setienin, Joseba Etxeberria e kishte kririkuar gjithashtu trajnerin e ri të Barcelonës.
“Mendoj se humb kredibiltet kur detyrohesh ta sulmosh stilin e lojës të ekipeve të tjera për ta mbrojtur mënyrën se si luan skuadra jote”, kishte thënë Etxeberria.
“Ky është vetëm mendimi im personal. Respektoji të tjerët dhe ata do të të respektojnë gjithashtu”.
Diego Simeone
Kur Setien kishte qenë trajner i Las Palmas, ai e kishte pasur një përplasje me Diego Simeonen. Para një ndeshjeje në janar të 2016-tës, Setien i kishte thënë Simeones se mendonte se po bënte punë të mirë, por s’i pëlqente mënyra se si Atletico Madridi luante.
Simeone e kishte pasur një mesazh për të, pasi skuadra e tij fitoi me rezultat 2:0.
“Një trajner nuk e stërvit skuadrën për vete, por për klubin ku punon. Trajnerët duhet ta drejtojnë skuadrën për klubin ku punojnë sepse paguhen nga anëtarët e klubit dhe ata na lejojnë të jetojmë nga futbolli”, kishte thënë Simeone.
“Nuk mund ta drejtosh një skuadër për t’u argëtuar personalisht, edhe pse jam i sigurt se këtë gjë e bëjnë disa trajnerë. Skuadra që sulmon më së shumti nuk është më e mira nga të gjitha dhe një skuadër që mbrohet në mënyrë të organizuar nuk është më e keqja”.
Jose Bordalas
Konflikti i Setienit me trajnerin e Getafes, Jose Bordalas, është ndoshta ai më i veçanti. Gjithçka filloi në vitin 2013, kur Setien ishte me Lugon dhe Bordalasi me Alcorcon. Skuadra e Setienit kishte humbur 1:0 dhe ai ishte shumë kritik pas ndeshjes.
“Ne humbëm kundër një skuadre që s’e meritojë të fitojë. Nuk më pëlqen t’i shoh lojtarët duke humbur kohë. Nga të gjitha skuadrat, shpresoj se Alcorcon të mos promovohet në ligën më lart sepse më dhemb kur i shikoj ata”, kishte thënë Setien.
“Ata janë kundërshtarë të vështirë sepse nuk luajnë futboll dhe nuk i lejojnë as të tjerët të luajnë. Ata e ndërprenë vazhdimisht ndeshjen dhe humbasin kohë”.
Bordalas iu përgjigj duke thënë se Setien ishte treguar i pasjellshëm dhe kërkoi nga Federata ta ndëshkojë Setienin për ato komente. Më vonë, kur Bordalas ishte në Getafe dhe Setien në Real Betis, Setieni e kritikoi sërish Bordalasin pas një humbjeje.
“Ishte e turpshme, Getafe është skuadra që bën më së shumti ndërhyrje. Ky nuk është futboll, është diçka tjetër”.