Lista Esenciale e Barnave nuk u revidua që nga viti 2012

Prishtinë | 24 Mar 2019 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

Lista Esenciale e Barnave nuk është reviduar që nga viti 2012, ndërkohë Ministra e Shëndetësisë po thotë se shumë shpejt do të përfundoj ky proces.

Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka filluar revidimin e listës esenciale të barnave, proces ky që pritet të përfundojë deri në fund të muajit mars ose prill të këtij viti.

Me revidimin e kësaj liste tani janë duke u marrë ekspertët e shëndetësisë, të cilët do të vlerësojnë kërkesat e spitaleve për produkte medicionale dhe do të vendosin se cilat prej tyre do t’i fusin në këtë listë.

Kështu kanë thënë për lajmi.net në Ministrinë e Shëndetësisë.

Albatrit Matoshi, këshilltari politik i ministrit Uran Ismaili, ka thënë për lajmi.net se procesi për revidimin e kësaj liste pritet të përfundojë në mars ose prill të këtij viti.

“Këtyre ditëve përfundon edhe llogaritja e kostos financiare të kësaj draft liste, e cila duhet të reflektojë buxhetin e barnave të ndarë në kuadër të buxhetit të shëndetësisë. Pra, me fjalë të tjera pas një pune intensive, transparente, dhe një trajtimi shumë dimensional të propozimeve të bëra, Lista pritet të përfundojë gjatë muajit mars-prill. Komiteti teknik ka marrë parasysh sugjerimet e arsyetuara nga doktorët, duke ditur faktin se vet doktorët janë të përfaqësuar në këtë Komitet, si dhe përveç propozimeve nga subjektet farmaceutike, anëtarët e Komitetit, propozime janë pranuar dhe shqyrtuar në vazhdimësi edhe nga drejtuesit e klinikave të QKUK-së, të cilët në vazhdimësi në vijë hierakike janë njoftuar dhe kanë qenë të kyçur në procesin e hartimit të Listës së Barnave Esenciale”, ka thënë Matoshi.

Ai ka thënë se Komitetin teknik për përpilimin e Listës së Produkteve Mjekësore dhe materialeve shpenzuese janë duke punuar në mënyrë aktive që ky proces të përfundojë sa më parë.

“Komiteti teknik që reflekton një përbërje profesionale me njerëz profesionistë të propozuar nga drejtuesit e klinikave të QKUK-së dhe subjekte të tjera, brenda të cilit ekip përveç specialistëve të fushave mjekësore ka edhe farmacistë dhe përfaqësues të Shoqatës së Pacientëve të Kosovës ka punuar në mënyrë aktive, përkrahur edhe nga Sekretaria teknike në përgatitjen e draftit të Listës së re të Barnave Esenciale dhe materialit shpenzues për nevojat e institucioneve publike shëndetësore në Kosovë”, ka thënë tutje ai.

Revidimi i listës esenciale të barnave do të mundësojë që produktet në listën e re të jenë në shërbim të nevojave të pacientëve, lehtë të qasshme dhe me kosto të përballueshme./

Të ngjashme