Lista Serbe dënohet me 800 euro për vendosje të afisheve pa leje në objekte banimi

Prishtinë | 01 Tet 2025 | 18:49 | Nga Ekonomia Online

Lista Serbe është dënuar me 800 euro për vendosjen e afisheve në objekte banimi në rrugën Knez Milosh në Mitrovicën e Veriut pa lejen e pronarëve.
Sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ankesën e ka paraqitur lëvizja Vetëvendosje.

Me këtë veprim të Listës Serbe është shkelur neni i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton se “ndalohen veprimet e subjekteve politike… vendosja e njoftimeve, afisheve, apo në çfarëdo mënyre vendosja e emrave ose sloganeve të tyre që lidhen me fushatën zgjedhore brenda ose jashtë objekteve publike, mbi ose në hapësirat publike, në shenjat e komunikacionit brenda ose jashtë objekteve që i zënë ose i përdorin organizatat ndërkombëtare, apo brenda ose mbi hapësirat private pa lejen e pronarëve ose banuesve”.

PZAP gjithashtu i ka urdhëruar Listës Serbe të largojë afishet, duke theksuar se nëse nuk e respekton urdhrin, mund të sanksionohet me gjoba shtesë.
Vendimi nuk i nënshtrohet ankesës.

PZAP të mërkurën ka shpallur edhe vendime të tjera, pas ankesave të partive kundër fushatës së Listës Serbe, duke i cilësuar si të vonuara ankesat e partive “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”.

Të ngjashme