Zëvendëskryetari i Listës Serbe, Igor Simiq tha të martën se përfaqësuesit e kësaj liste do të takohen nesër me presidentin serb Aleksander Vuçiq për zgjedhjet e parakohshme për kryetarët e komunave në veri të Kosovës.
“Ne do të konsultohemi gjithmonë me Beogradin zyrtar dhe do të marrim vendime në përputhje me interesin e popullit serb në Kosovë “, tha ai për Radio Televizionin e Serbisë.
Sipas tij, pas takimit me Vuçiqin në Beograd, Lista Serbe do ta bëjë të ditur qëndrimin në këto zgjedhje.
Simiq tha se thirrja e zgjedhjeve është “provokim: i Prishtinës, por gjithashtu sipas tij populli serb do të jetë “edhe më unik dhe më i fortë”, transmeton Klan Kosova.
Presidenti Hashim Thaçi ka shpallur të martën zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore: Leposaviq, Zubin Potok, Zveëan dhe Mitroivcë Veriore.
Kryetarët e këtyre komunave ka katër muaj që dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie ndaj taksës 100% për mallrat serbe dhe arrestimit të disa personave që dyshohen të kenë gisht në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Partitë që do të synojnë të marrin nën udhëheqje 4 komunat e veriut kanë rreth 1 muaj kohë që të fillojnë përgatitjet për fushatë.