Lista Serbe e Goran Rakiq-it që kontrollohet drejtpërdrejt nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka vënë qëllim që të mbledh vota për tri subjekte politike të komuniteteve tjera jo pakicë, një boshnjake, një rome dhe një gorane në mënyrë që të llogarisin në tre deputetët e tyre në Kuvend veçmas 10 deputetëve të saj që i ka të garantuar. Matematikat e Listës Serbe për të kontrolluar 2/3 e 20 ulëseve të komuniteteve po dalin të jenë të sakta. Ish-deputetja Duda Balje tha se kjo çfarë ka arritur Lista Serbe me votat për partinë e Adrijana Hoxhiq është e rrezikshme për Kosovën dhe do të ankohet në PZAP e Gjykatë Kushtetuese.
Partia Komuniteti i Bashkuar UZ-AH i Adrijana Hoxhiq, Iniciativa Rome(RI) e Gazmend Salijeviq nga Graçanica dhe Partia Unike e Goranëve e Adem Hoxhës do të kenë nga një deputet në Parlament në të cilët do të llogarisë Lista Serbe.
Partia që udhëhiqet nga Goran Rakiqi ka mobilizuar komunitetin serb nëpër komunat ku janë shumicë për të votuar partinë e Hoxhiqit dhe atë të Salijeviqit në mënyrë që të fitojnë nga një ulëse në Kuvend dhe kësisoji të kontrollohen nga Srpska Lista. Partia që merr direktiva direkt nga Beogradi tashmë llogaritë në Adem Hoxhën e komunitetit goran që ishte bashkuar Grupit Parlamentar të Listës Serbe mandatin e kaluar.
Kryetarja e Unionit Socialdemokrat Duda Balje është ankuar se Lista Serbe përmes subjektit politik Komuniteti i Bashkuar i Adrijana Hoxhiq ka ndihmuar këtë të fundit pasiqë 90 për qind të votave që i ka fituar në emër të boshnjakëve janë vota të serbëve nëpër komunat ku udhëheqë Lista Serbe.
Balje tha se partitë tjera boshnjake partia UZ-AH dhe koalicioni VAKAT janë në linjë me Listën Serbe.
“Koalicioni VAKAT ka afër 1000 vota nëpër komuna serbe, kurrë nuk ka pasur deri tash. Edhe është shumë evidente ata janë pjesë e planit Lista Serbe, Adrijana Hoxhiq nuk ka pasur më shumë se 700 vota të boshnjakëve. Më shumë se 6000 vota ka pasur nga serbët nëpër komuna serbe. Unë do të bëj ankesë në Gjykatë Kushtetuese dhe PZAP përshkak se ata kanë shkelur kushtetutën dhe unë mendoj se kjo është shumë e rrezikshme për Kosovën dhe komunitetet në Kosovë” , tha Balje.
Kryetari i koalicionit VAKAT Rasim Demiri tha se kanë fituar një ulëse por që nuk do të jenë të kontrolluar nga Lista Serbe.
“Ne sipas rezultateve të KQZ’së kemi fituar një ulëse në Kuvend, nuk do të jemi të kontrolluar nga Lista Serbe siç po pretendohet kjo është një gënjeshtër. Ne mund të bashkëpunojmë me ta nëse kemi çështje të përbashkët për komunitetet”, tha Demiri.
Për tri ulëset e garantuara për komunitetin boshnjak në Kuvendin e Kosovës, kanë garuar pesë subjekte politike boshnjake: Koalicioni Vakat, Unioni Socialdemokrat, Partia e Re Demokratike, Iniciativa e Jonë dhe Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq.
Sipas të dhënave preliminare nga KQZ-ja, më së shumti vota nga këto subjekte ka marrë Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq (UZ-AH).
Ky subjekt ka marrë 6.379 vota dhe ka siguruar një ulëse të garantuar në Kuvendin e Kosovës. Koalicioni Vakat ka marrë 5.667 vota dhe po ashtu ka siguruar një ulëse të garantuar në Kuvendin e Kosovës.
Një ulëse të garantuar për komunitetin boshnjak e ka marrë edhe Partia e Re Demokratike (NDS), e cila ka marrë 2.761 vota. Por, jashtë Kuvendit të Kosovës besohet se ka mbetur Unioni Socialdemokrat që udhëhiqet nga Duda Balje, e cila ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës për disa mandate.
Anell Bajra, pjesëtar i komunitetit boshnjak në Kosovë, në një shkrim në Facebook ka ngritur dyshime se Lista Srpska ka ndarë një pjesë të votave të saj për komunitetet e tjera. Edhe gjatë fushatës është raportuar se Lista Srpska po tenton që, përveç 10 ulëseve të rezervuara për serbët, të marrë edhe disa ulëse të rezervuara për pakicat tjera kombëtare.
Bajra thotë se në zgjedhjet që u mbajtën me 14 shkurt, çuditërisht partitë boshnjake në tërësi morën gjashtë mijë vota më shumë, se sa në çdo palë zgjedhje tjera të mbajtura në Kosovë. Veçse këtë vit doli e para prej boshnjakëve iniciativa e Adriana Hoxhiqit, që garoi për herë të parë. Sipas të dhënave të KQZ-së, Hoxhiqi shumicën e votave i ka marrë në komunat me shumicë serbe.
“Per me zberthy edhe me shume kete anomali, e bera nje analize te votave te cilat i ka fituar Ujedinjena Zajednica – Adrijana Hodzic (e deklaruar si boshnjake) e cila per here te pare garon ne zgjedhjet nacionale ne Republiken e Kosoves dhe i fshin perpara te gjitha partite tjera boshnjake. Nga 6379 vota te fituara ne total, del qe 5575 vota apo 87.39% nga totali i votave te tyre i ka marre ne 10 komuna me shumice serbe ne Republiken e Kosoves”, ka shkruar Bajra në Facebook.