Lista Serbe i ka dalë në mbrojtje nënkryetarit të saj Milan Radojçiq, i cili u arratis dje nga pika kufitare në Bërnjak pasi rezultoi se është në listën e personave të kërkuar nga prokuroria.
Partia kryesore parlamentare e serbëve të Kosovës, ka deklaruar se sipas informacioneve që kanë, kërkesa për arrestim të Radojçiqit s’përmbanë evidencë për ndonjë veprim ilegal të tij.
“Ne theksojmë se bazuar në informatat që kemi, kërkesa për arrest e Radojçiq nuk përmbanë evidencë për ndonjë veprim ilegal të tij, por vetëm është folur publikisht për rastit që është inicuar në lidhje me marrëdhënien dhe lëshimin e lejes ndërtimore në komunën e Shtërpcës dhe Radojçiq s’ka të bëjë asgjë me të. Informojmë publikun që Radojçiq s’ka pasur marrëdhënie biznesore në këtë komunë apo me objekte atje, për më tepër nënkryetari Radojçiq asnjëherë s’ka qenë në komunën e Shtërpcës”, thuhet në reagimin e tyre.
Lista Serbe ka akuzuar institucionet e Kosovës që sipas tyre po ndërmarrin procese gjyqësore ndaj serbëve dhe po tentojnë të largojnë Listën Serbe nga skena politike.
“Kjo s’është hera e parë këto raporte sekrete dhe urdhëra sekretë për të arrestuar serbët. Jemi të vetëdijshëm që në javët e fundit institucionet e Kosovës janë duke provuar të largojmë Listën Serbe nga skena politike si mbrojtëse e serbëve, por ne i kuptojmë këto mesazhe dhe veprime si këto nuk na frikësojnë e as nuk na dekurajojnë për të luftuar për njerëzit tanë”, thuhet tutje në reagimin e kësaj partie.
Radojçiq para disa jave është futur në listën e sanksioneve të Thesarit amerikan së bashku me disa persona të tjerë që operojnë si grup i krimit të organizuar në veriun e Kosovës.
Ndryshe, dje dyshohet se Radojçiq është kthyer mbrapa me veturën e tij dhe është arratisur në Serbi, derisa zyrtarët policorë po kryenin procedurat e verifikimit të tij në pikën kufitare në Bërnjak.
Dokumentet e tij kanë mbetur te zyrtarët policorë.
Ndryshe, arratisja e Milan Radoiçiqit nuk është kapur fare nga kamerat e sigurisë në pikën kufitare në Bërnjak. Arsye për këtë ka qenë mosfunksionimi i tyre.
Lajmin e ka konfirmuar prokurori Rasim Maloku.
Ai ka thënë se kanë nisur hetimet për këtë çështje.
“S’ka ende ndonjë informacion zyrtar pse s’kanë funksionu, por ka fillu një hetim. Është rekomandu edhe suspendimi i tre zyrtarëve policorë që kanë qenë në detyrë në atë kohë”, tha Maloku.
Para disa ditësh Prokuroria e Ferizajit ka vendosur në listën e të kërkuarve Radojiçiqin për rastin “Brezovica”.