Lista Serbe u bëri thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë që “të reagojnë urgjentisht dhe t’i mbrojnë serbët, në përputhje me mandatin që kanë”, pas, siç u shpreh, veprimeve të sinkronizuara që kanë për qëllim “frikësimin e serbëve në Kosovë dhe parandalimin e kthimit të të zhvendosurve”.
Lista Serbe tha se serbët që vendosin të kthehen në Kosovë, arrestohen dhe sulmohen fizikisht, ndërsa kishat dhe manastiret serbe kërcënohen me shkatërrim.
Subjekti politik serb i bëri thirrje misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, të garantojë sigurinë e serbëve, ndërsa nga ambasadorët e huaj, misioni i Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe Bashkimi Evropian kërkoi të ngrenë zërin kundër, siç u shpreh, maltretimit të serbëve.
“Këto abuzime kanë vetëm një synim: ndryshimin e përbërjes etnike dhe të gjendjes faktike në terren, me qëllim spastrimin etnik të serbëve nga Kosova”, tha Lista Serbe.
Të hënën, një person i nacionalitet serb është plagosur në fshatin Poterq të Klinës, gjatë protestës së banorëve shqiptarë pranë një kishe serbe, ku të zhvendosurit serbë u mblodhën për të shënuar një festë.
Një person me shtetësi serbe është ndaluar pas protestës për verifikim, pasi një prej demonstruesve shqiptarë e ka identifikuar atë si të dyshuar për masakrën në Poterq, në mars të vitit 1999.