Deputetët e Listës Serbe janë “mbyllur” në mjediset e Kuvendit të Kosovës, duke dashur të përçojnë mesazhin se situata e serbëve të Kosovës është në prag të “krizës humanitare”, pas vendosjes së taksës nga Qeveria e Kosovës për mallrat që vijnë nga Serbia.
Në një konferencë shtypi, deputeti Sasha Milosavleviq, ka thënë se serbëve në Kosovë iu mungon qumështi, uji dhe ushqimi, raporton Ekonomia Online.
Deputetët e Listës Serbe kanë deklaruar se do të flenë sonte këtu dhe se po presin komisionerin për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, për ta njoftuar me gjendjen “e rëndë“.
“Shprehim shqetësimin tonë të madh për vendosjen e taksës 100 në mallrat të cilat vijnë nga Serbia. Nëse kjo taksë nuk hiqet në një kohë të shkurtër do të kemi probleme të mëdha, jo vetëm serbët në Kosovë, përfaqësues të të cilit jemi ne, por edhe krejt qytetarët e Kosovës, sepse do të ketë mungesë të qumështit, ujit dhe ushqimit”, tha ky deputet.
“Ne nuk dëshirojmë që të vijë deri te kjo, prandaj qëllimi ynë i vetëm është që në këtë mënyrë të qetë, demokratike, të iniciojmë takim me komisarin Hahn, që t’ia tërheqim vëmendjen për këtë problem tepër të madh, e që është vendosja e taksës prej 100% për mallrat që vijnë nga Serbia”, shtoi Milosavleviq.
Igor Simiq, deputet tjetër i Listës Serbe, tha se do ta kalojnë natën në mjediset e Kuvendit te Kosovës. “Do të rrimë derisa të vijë komisionari Hahn”, tha ai.
Lista Serbe bëri të ditur se i kanë dërguar Zyrës së Komisionarit Hahn kërkesë për takim. Por, deri më tani nuk kanë marrë përgjigje.
Komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, të hënën do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku do të diskutojë për taksën 100 për qind ndaj Serbisë. Ai do të takohet me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.
Qeveria e Kosovës ka rritur taksën nga 10% në 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, si kundërpërgjigje ndaj fushatës agresive të Serbisë për Kosovën, veprim ky që ka nxitur reagime të shumta.
Qeveria ka sqaruar se vendimi i datës 21 nëntor 2018 liron të gjitha donacionet me mallra qe sillen në Kosovë sipas procedurave ligjore, si dhe të gjitha mallrat për personat fizikë dhe udhëtarëve sipas të drejtave ligjore nuk janë ndaluar nga Dogana.