Lista Serbe ka reaguar ndaj konferencës së kryeministrit, Albin Kurti, duke pretenduar se “një mori të pavërteta të thëna nga Albin Kurti në Prishtinë nuk mund të mbulojnë karakterin antiserb të regjimit të tij”.
Në kumtesën e tyre thuhet se vendimi i Listës Serbe dhe “i të gjithë qytetarëve” për t’u larguar nga institucionet e Kosovës është marrë absolutisht “në mënyrë të pavarur”.
“Serbët u larguan nga institucionet dhe nuk donin të merrnin pjesë në “zgjedhje të rreme” sepse nuk mund të toleronin që dikush të qëllonte qytetarët e pafajshëm, njësitë speciale paramilitare të rrahin dhe ngacmojnë popullin serb, të marrin tokën serbe dhe të krijojnë baza ilegale duke militarizuar veriun e Kosovës, sepse serbët e pafajshëm janë arrestuar me forcë brutale, e disa ende mbahen në paraburgim pa asnjë provë fajësie, sepse u hoqën të drejtën e votës për serbët dhe u ndaluan mbajtjen e zgjedhjeve dhe referendumit serb, sepse penguan trajtimin dhe vaksinimin e popullatës serbe, kanë konfiskuar ilaçe dhe materiale mjekësore dhe kanë kërcënuar mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë me arrestim, sepse me retorikën e tyre nxitën sulme me motive etnike ndaj serbëve, pronës së tyre dhe Kishës Ortodokse Serbe, sepse asnjë nga sulmet ndaj serbëve nuk u zgjidh, dhe sulmuesit nuk morën dënimin e merituar, sepse nuk u respektua vendimi për kthimin e tokës Manastirit të Deçanit, sepse marrëveshjet e nënshkruara nga Brukseli nuk respektohen edhe sot e kësaj dite, veçanërisht për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por as nuk respektohen marrëveshjet për drejtësi, polici, kadastër, diploma etj., pretendohet në kumtesën e Listës Serbe.
Ata shtojnë se kryeministri Albin Kurti, “një gjë flet e diçka tjetër bën. Kështu që edhe sot në vend që të de-përshkallëzojë situatën, ai vazhdon përmes pasuesve të tij të ngrejë tensione dhe të kërcënojë paqen e brishtë për të mbuluar fiaskon e politikës së tij në mesin e votuesve të tij, dhe në shpinë të popullit serb”.
Lista Serbe i ka bërë thirrje KFOR-it dhe EULEX-it “që të jenë vigjilentë dhe të marrin masa parandaluese që të mos realizohen “kërcënimet” e Kurtit”.
“I themi Kurtit se popullata serbe i ka kuptuar kërcënimet e tij të dërguara nga Brukseli dhe se jemi të vetëdijshëm se ai vetëm e ka treguar fytyrën e tij të vërtetë”, përfundon komunikata e Listës Serbe.