Bojkoti, që Lista Serbe po ua bënë institucioneve, po ia pamundëson Qeverisë riprocedimin e Marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës. Burime brenda Qeverisë kanë thënë për “Zërin” se u nevojiten votat e deputetëve serbë dhe pa u kthyer ata nuk do të ketë riprocedim të marrëveshjes në Kuvend, shkruan sot, gazeta Zeri.
Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend ta riprocedojë Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës. Kjo për faktin se një gjë të tillë nuk po mund ta bëjë si pasojë e mungesës së Listës Serbe në Kuvend e Qeveri dhe kundërshtimit të opozitës për versionin aktual. Burime brenda kabinetit qeveritar kanë thënë për gazetën “Zëri” se procesi i përmbylljes së demarkimit të vijës kufitare mes Kosovës e Malit të Zi nuk mund të bëhet pa u kthyer Lista Serbe në Kuvend.
“Nuk ka asgjë në këtë proces pa u kthyer Lista Serbe. Na nevojiten votat e tyre”, ka thënë ky burim brenda Qeverisë. Votat e deputetëve serbë i duhen koalicionit qeverisës, meqë Marrëveshjen për Demarkacionin po e kundërshton tash e një vit edhe opozita, e cila po kërkon kthimin në pikën zero të këtij procesi që, sipas tyre, është bërë keq dhe ia humb Kosovës mbi tetë mijë hektarë tokë