Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, ka reaguar për vandalizimin e xhamisë në Llabjan të Novobërdës, nga një qytetar serb.
“Në prag të festës më të gëzuar të krishterë, festë që na përkujton të jemi më tolerantë, më të sinqertë, më të mirë, të falim, e të jetojmë në paqe e mirëqenie, të luftojmë për familjet tona, është e palejueshme përdhosja e objektit fetar”, ka thënë Simiq në reagimin e tij.
Simiq ka thënë se përdhosja e xhamisë në Llabjan është akt i turpshëm, të cilin, si ka thënë, e dënon në mënyrën më të rreptë.
“Për këtë arsye, ftoj të gjithë qytetarët të ruajnë paqen”, ka thënë ndër të tjera ai.
“Sulmuesit e objekteve fetare në të cilat mësohet dhe nga të cilat përhapet toleranca fetare dhe dashuria ndaj njeriut duhet proceduar tek organet përkatëse të drejtësisë ashtu që kjo e pabërë të mos përsëritet ne të ardhmen. Po ashtu dua ta falënderoj Policinë për reagimin e shpejtë dhe për arrestimin e kryerësit të këtij akti të palejueshëm pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike e fetare”, ka thënë në fund ai.
Sot në fshatin Llabjan të komunës së Novobërdës, një serb ka sulmuar dhe demoluar xhaminë e fshatit, shkollën, ambulancën dhe disa shtëpi private.
Zëdhënësi i Policisë së Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë se bëhet fjalë për një person të nacionalitetit serb, shtetas i Kosovës”.
“Policia ka pranuar një informatë për dëmtim të xhamisë, shtëpi private dhe të shkollës fillore në fshatin Llabjan të Novobërdës. Një person i dyshuar shtetas serb banorë i Llabjanit i moshës madhore është arrestuar nga policia qe dyshohet se ka kryer këtë sulm. I njëjti po intervistohet nga policia”, ka thënë Hashani.