Hyrje , pa dalje : Gjykata Kushtetuese e Kosovës , ma një
vendim krejtësisht politik dhe jashtë çdo logjike juridike që e rrëzuan
qeverinë e kryeministrit Hoti dhe ia mohuan Albin Kurtit dhe të tjerëve të
drejtën për t’u zgjedhur e shkatërroi konceptin e të parit në sistemin tonë
proporcional duke e bastarduar dhe duke e bërë të pavlerë votën e lirë dhe
fituesin e zgjedhjeve , Pa ndryshim të Kushtetutës së Kosovës dhe një reformë
rrënjësore të sistemit zgjedhor ( pati filluar më parë por nuk ka përfunduar
kurrë ) po i jepen goditje të parikuperueshme demokracisë në Kosovë duke e
futur vendin në një qark magjik e që zbaton urdhërat e konjukturave politike.
Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat ta çojë vendin në zgjedhje , të ngatërrohet
në çështje politike apo të dënojë vetëm një segment ( Kuvendin e Kosovës ) në
zinxhirin e segmenteve përgjegjëse , si KQZ , Gjykata Supreme etj. Gjykata
Kushtetuese e Kosovës është kompromituar rëndë për faktin se për rrëzimin e
qeverisë Hoti për shkak se vota e deputetit Et’hem Arifi është cilësuar e
pavlefshme sikur që vendimi për refuzim të kandidimit të Albin Kurtit ,
Albulena Haxhiu , Donika Kadaj – Bujupi , Faton Topalli dhe të tjerëve , në mes
të tjerëve është votuar edhe nga një gjykatës i Gjykatës Kushtetuese ,
përkatësisht Mirosllav Llaban i cili ishte dënuar dhe mbajtur një pjesë të
dënimit për shkak të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal dhe
korrupsion sikur që ekzistojnë dyshime se është nën kërkim ndërkombëtar. Kjo
nuk do të ndodhte në asnjë vend të botës , së pari të zgjidhet një i dënuar për
krim të organizuar si gjykatës i Gjykates Kushtetuese e pastaj , po i njëjti të
përmbysë qeverinë e Kosovës sikur edhe t’ua mohojë të drejtën për t’u zgjedhur
kandidatëve që në zgjedhjet e fundit kanë fituar thuaja 350.000 vota. Tmerr !
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 kanë votuar 826.000 votues prej të cilëve mbi 750.000
kanë votuar për LVV , LDK , PDK , AAK dhe NISMA . Tri partitë më të votuara
morën : LVV -29 deputetë , LDK -28 deputetë dhe PDK – 24 deputetë. Nuk e besoj
se numri i votuesve rritet më shumë se 100.000 , në rastin më të mirë andaj në
bazë të saj edhe mund të bëhen kalkulime të mundshme për zgjedhjet e ardhshme
gjithnjë duke e përcjellur trendin që , duket se shkonë në favor të LVV –së por
se thuaja është e pamundur që LVV të fitojë 50% të votave që i bie dikund afër
60 deputetë. Për të ndodhur kjo , duhet të shemben shumë LDK dhe PDK kurse AAK
dhe NISMA duhet të mos e kalojnë pragun. Edhe bërja publike e listave të
kandidatëve për deputetë tregon qartë se nuk mund të ketë lëvizje dhe ndryshim
aq drastik të votuesve në favor të një partie dhe kundër partive tjera. Shkojmë
sipas një renditjeje logjike dhe gjysmëfaktike :
- VETËVENDOSJE : Lista e LVV-së i ngjanë gjellës turli – jemek.
Ka aty gjithçka : të majtë deri në ekstrem , djathtistë , nacionalistë , monarkistë , enveristë , liberalë ,
anarkoliberalistë , anarkistë , fundamentalistë dhe të tjerë. Ka kandidatë që i
ka gërryer koha dhe të tjerë që po e gërryejnë kohën. Ka patriotë të vendosur dhe të tillë që
patriotizmin e përdorin për pushtet. Ka ish të burgosur politikë por edhe të
tillë që kanë kontribuar në burgosje të patriotëve përmes paraardhësve të tyre
biologjikë. Diapozoni politik shtrihet midis filozofisë politike të Hasan
Prishtinës dhe destruktivitetit politik të Sllavoje Zhizhekut. Ka të tillë që
kanë luftuar me dhe për Adem Jasharin por edhe të tillë që e kanë luftuar Adem
Demaçin. LVV e krijoi një epërsi të madhe psikologjike me fitoren , pa balotazh
në Podujevë dhe tash pretendon se i fiton 50% të votave . Me prurje të reja ;
Armend Muja , bashkë me Besnik Bislimin,
për mua do të ishte befasi e madhe nëse nuk bëjnë sondazhe ku do të fitonin së
paku 75 % të votave që , përkthyer në deputet janë afërsisht 90 deputetë që ua
mundëson ta zgjedhin Vjosa Osmanin presidente dhe ta nxjerrin nga loja Listen
Serbe. Po të ndodhte kjo “ mrekulli “ ,atëherë
LVV , me haxhiavdylët e LDK-së do të kishin mundësi të merrnin të gjitha
vendimet. Por kjo është në domenin e fantastikës shkencore. LVV ka kandidatë
shumë të mirë dhe të kualifikuar për deputetë por ja se duhet të punojnë që
edhe iniciativa S’ GUXO të marrë diçka nga kjo tortë . Pastaj , edhe dhelpra e
madhe e politikës kosovare , Mimoza Kusari nuk bënë e të mos e ngjyej pakëz
pushtet ! Në dëm të ndonjë aktivisti të LVV –së që natë e ditë ka punuar për
Lëvizjen. Nepotizmi është i theksuar në listen e LVV –së dhe , në këtë drejtim
asgjë nuk ndryshon nga partitë tjera kurse , mendoj se pikërisht këtu LVV është dashur ta
bëjë një prerje dalluese nga partitë tjera , aq më parë që fitoren , edhe ashtu do ta
kishte të garantuar. LVV është favorit absolut për t’i fituar zgjedhjet. Albin Kurti po punon në rritjen , mirëmbajtjen
dhe promovimin e imazhit të Vjosa Osmanit , e që , po të paraqitet nevoja , me
lehtësi do ta rrëzojë ate. Vjosa Osmani është dhe do të mbetet peng i Albin
Kurtit nga i cili , nëse nuk i fiton votat e mjaftueshme për presidente atëherë
, së paku , mund të rizgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës prandaj edhe ky
hyrë në listen zgjedhore të LVV sepse , pa u zgjedhur deputete , nuk mund të
zgjidhet as kryetare. Vjosa Osmani , e vetme ka një peshë politike të
pakontestuar , si Iniciativë S’GUXO , pesha specifike është e ulët. Ka pak
ushtarë dhe njohës të politikes ; Haxhi Avdyli , si mjek është huqje në
politikë , Donika Gërvalla mund të kalojë si deputete por jo edhe në ndërtimin
e raporteve bashkëpunuese me subjektet tjera ndërsa , Faton Peci , si pasardhës
i Isa Boletinit mund të jetë kontribues , nëse lind nevoja për të rrokur armët . Për dallim nga Isa Boletini që e ngriti
Flamurin në Vlorë , Faton Boletini nuk pati guxim ta ngerjë flamurin e
Iniciativës GUXO në KQZ-së . Do të ishte
mëkat dhe padrejtësi nëse Albin Kurtit dhe të tjerëve do iu mohohet e drejta
për t’u zgjedhur. Albin Kurti , nëse i fiton më shumë se 40 deputetë mund të
votohet për kryeminister i Kosovës por , jam i sigurt se do të përfundojë në
Gjykatën Kushtetuese. Nëse LVV nuk e fiton shumicën e nevojshme për të formuar
institucionet ashtu siç po e mendon , atëherë Albini do të provokojë zgjedhje
të reja , derisa t’i rraskapisë kundërshtarët politikë. Albin Kurti dhe LVV
kanë ndryshuar dhe kanë sjellje tjera , më konstruktive krahasuar me zgjedhjet
e fundit e që është kualitet . Mendoj se , qysh tani , nëse nuk kërkohet
provokimi i një krize të re institucionale , Albin Kurti dhe LVV duhet të
përcaktohen për një partneritet me një subjekt politik shqiptar. Nuk ka
zgjidhje tjetër !
- PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS : PDK është goditur shumë nga Gjykata
Raciste e Hagës të cilës , më shumë , së paku për momentin i intereson efekti
politik se ai i realizimit të drejtësisë. Arrestimi i krerëve të UÇK-së dhe
institucionalë prodhoi efekte dhe pasoja politike duke shkaktuar krizë dhe
kriza institucionale. Kohëve të fundit PDK ka patur aktivitet të shtuar në
terren ndryshe , do ta lanin hanin! Ka prurje të reja nga fusha e mediave dhe
shkencës që , pa asnjë dyshim e rrisin cilësinë e komunikimit mirëpo nuk mund
të llogarisin se janë mbledhës të votave. Përkundër goditjeve të vazhdueshme
nga jashtë ( Gjykata e Specializuar për Arrestime në baza Etnike ) dhe nga
kundërshtarët brenda Kosovës , duket se PDK , pa pasoja të mëdha dhe pa çarje
të mëdha e ka kaluar këtë sfidë. Në zgjedhjet e ardhshme PDK –ë ka përparësi se
nuk i vendosë vija të kuqe asnjë subjekti poiltik dhe se është në poziten e
viktimës. Në anën tjetër i ka , së paku 35 kandidatë për deputetë që çkyhen për
të siguruar vota për vete dhe , në këtë mënyrë sigurojnë vota edhe për partinë.
Dobësia e PDK-së është se në vendet që llogariten si bazenë të votave , sidomos
në Pejë , Gjilan dhe Prishtinë , nuk qëndrojnë edhe aq mirë! PDK –ë nuk mund të
bjerë shumë dhe , nëse arrinë t’i mbrojë votat e zgjedhjeve të kaluara , është
në kalë ! Listen e ka ruajtur nga brumi i së kaluarës dhe po bënë përpjekje ta
fisnikërojë këtë brumë me prurje të reja. PDK duhet ta tejkalojë rivalitetin në
Skenderaj duke e arritur një kompromis për postin e kryetarit të Kosovës. Me
nominimin e Vjosa Osmanit për presidente , realizimi i këtij kompromisi është
bërë më i lehtë. PDK –së nuk mund t’i marrin vota LDK, AAK e as LVV por mund
t’i marrë pak vota NISMA . PDK ka elektorat të qëndrueshëm e që , edhe në
zgjedhjet e radhës nuk do të lëvizë shumë.
- LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS : Ndihmen dhe përkrahjen më të madhe
LDK-së ia ka dhënë Vjosa Osmani duke garuar në Listen e LVV –së. Nga largimi i
Vjosa Osmanit LDK nuk dëmtohet kurse nga largimi i Haxhi Avdylit do të pësojë
tronditje. Po të ishte larguar , ta zëmë para 5 muajve Vjosa Osmani nga LDK-ë
dhe po ta kishte regjistruar menjëherë Iniciativen Politike, me siguri se do ta
dëmtonte shumë LDK-në dhe sot , pa asnjë dyshim do ta kalonte pragun. Kështu ,
duke mos mbetur as peshk ( LDK ) e as mish ( LVV ) , Vjosa Osmani nuk do ta
dëmtojë LDK-në. Jam i sigurt se asnjë votues konservator i LDK-së nuk do ta
votojë Vjosa Osmanin për faktin se e ka të qartë se e voton LVV –në dhe Albin
Kurti. Lista për deputetë e LDK-së është kompakte dhe e respektueshme për
faktin se asnjë politikan me peshë e që është menduar se do të bëhet pjesë e
iniciativës së Vjosa Osmanit , nuk e ka lëshuar LDK-në. LDK –ë ka përparësi se
ka vota shumë në bazenet ku ka më së shumti vota dhe në disa komuna ku lehtësisht
i fiton zgjedhjet. Edhe në variantin më të keq nuk e besoj se LDK –ë mund të
bjerë nën 23-24 deputetë. Ka ministra që
shumë mirë e kanë menaxhuar pandeminë duke vepruar , jo nga posti politik por
nga përgjegjësia ndaj qytetarëve , pa bërë asnjë dallim sikur që ishte ministri
Zemaj. LDK –ë ka përparësi shakaku se gjatë mandatit të saj qeverisës , me
përkrahje të opozitës është miratuar Buxheti i Kosovës dhe Ligji për Rimëkëmbje
Ekonomike. LDK ka elektorat tradicional që nuk e lejon të shembet në zgjedhjet e
ardhshme. Ka politikanë të rinjë që bëjnë politikë sikur edhe politikanë të
gjeneratës së mesme dhe të vjetër që mbledhin vota dhe garantojnë
qëndrueshmëri.
- ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS : Mund të jetë partia më e përshtatshme
dhe ajo që vendosë për koalicionin e radhës paszgjedhor . Sikur LSI në
Shqipëri. Udhëheq pushtetin lokal në 6 komuna të Kosovës ku ka siguruar votues
. Dikush po parasheh që do të bjerë shumë apo , madje ka të tillë që e vënë në
dyshim edhe kalimin e që , për mua është krejtësisht joreale. Në rastin më të
keq AAK –ë do t’i ketë 10-12 deputetë .
Për dallim prej subjekteve tjera politike , hiç këtu LVV , AAK –ë ka
liderë , Ramush dhe Daut Haradinaj , fjala e të cilëve nuk bëhet dysh dhe se
vendimet që i marrin janë të pakundërshtueshme.
- LISTA SERBE : Në çdo vend ku sundon ligji , Lista Serbe do të ndalohej me ligj për faktin se
nuk i njeh institucionet e Kosovës , se haptasi deklarohet se kryetari i saj
ësht Aleksandar Vuçiqi dhe se shteti i tyre është Serbia dhe jo Kosova. Lista
Serbe , përmes shantazhit dhe frikësimit i ka eliminuar të gjitha partitë serbe
dhe serbët që janë integruar apo duan të integrohen në institucionet e Kosovës.
Lista Serbe ka qenë bartëse dhe mbështetëse e të gjitha aktiviteteve kriminale
në Veri të Kosovës si dhe dyshohet se e kanë vrarë , përmes eksponentëve të tyre Oliver Ivanoviqin. Lista Serbe
aktualisht i ka të siguruar 10 deputetë por se është duke bërë përpjekje të
sigurojë edhe më shumë deputetë duke joshur kandidatë për deputetë të komuniteteve
pakicë joserbe.
Prandaj , mos u çuditni nëse pas zgjedhjeve të
radhës Lista Serbe do të ketë më shumë deputetë me ç’rast i rritet kapaciteti
destabilizues dhe shantazhues .
Kandidimi i Vasfije Krasniqit – Godman për deputete : Vasfije
Krasniqi – Godman është e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës dhe shquhet
për një guxim të jashtëzakonshëm duke
dëshmuar botërisht dhe duke u bërë zëri
i grave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Dëshmia dhe guximi i saj i tejkalon
përmasat kosovare duke u bërë zëri i të gjitha grave të botës të cilat u
dhunuan seksualisht. Vasfije Krasniqi – Godman u bë pjesë e garës për deputete
të LVV –së. Mendoj se Vasfije Krasniqi – Godman duhet të jetë mbi të gjitha
subjektet politike duke mos u bërë pjesë e asnjë liste politike për faktin se ,
si e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë u shndërrua
në simbol të qëndresës për të gjitha gratë sikur që kontribuoi më shumë se çdo
politikan i Kosovës. Roli i Vasfije Krasniqit – Godman në Kuvendin e Kosovës do
të relativizohet për faktin se pikërisht Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin
për Njohjen e Statusit të të Mbijeturave të Dhunës Seksuale dhe se asnjë deputetë i
Kuvendit nuk e vë në dyshim sakrificën e tyre.
Mendoj se roli i Vasfije Krasniqit – Godman do të fuqizohej nëse ajo , në
kuadër të Ministrisë për Punë të Jashtme do të shpallej Ambasadore për të
Drejtat e Njeriut dhe të Viktimave , do
të kishte përkrahje të plotë financiare dhe profesionale për të vizituar të
gjitha vendet e botës për të fuqizuar zërin e grave të dhunuar në Kosovë gjatë
luftës së fundit. Ky do të duhej të ishte misioni i vërtetë i Vasfije Krasniqit
– Godman dhe vetëm në këtë rast do të materializohej kontributi i saj në
demaskimin e krimeve të Serbisë dhe jugosllavisë në Kosovë që dhunimin e kanë
përdorur si armë lufte. Roli i deputetes në Kuvendin e Kosovës nuk ia mundëson
këtë rol dhe këtë kontribut !
Edhe pas zgjedhjeve të Shën Valentinit , të shpallura nga Gjykata
Kushtetuese e Kosovës dhe Gjykata Speciale Raciste e Hagës, nuk e besoj se do
të ketë përmbysje apokaliptike të votës . Mirëpo , nëse ndodhë kjo përmbysje ,
pa asnjë dyshim duhet të pranohet vullneti i votuesit. Unë , pa asnjë problem
do ta bëjë këtë duke e uruar fituesin dhe fituesit !