Listës esenciale së barnave i shtohen edhe 60 lloje të reja

Prishtinë | 28 Mar 2023 | 11:59 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Listës së re esenciale të barnave do t’i shtohen 60 lloje të barnave, ndërsa buxheti i ndarë për këtë listë gjatë vitit 2023 do të jetë 60 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në tryezën e diskutimit publik lidhur me listën e re të barnave esenciale.

Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia mori pjesë sot në tryezën e diskutimit publik lidhur me Listën e re të barnave esenciale.
Ai tha se Lista e barnave esenciale paraqet listën e nevojave për barnat kryesore të cilat i kanë tre nivelet e kujdesit shëndetësor sistemit, ndërsa Komiteti për hartimin e saj ka paraparë që brenda kësaj liste të përfshihen barnat efikase, të sigurta dhe kosto-efektive.

“Duke parë nevojat e shumta të pacientëve, me rritjen e buxhetit për barna dhe materiale shpenzuese esenciale për sistemin shëndetësor në Kosovë në afër 60 milionë euro, do të këtë më shumë mundësi që të bëhen plotësimet dhe ndryshimet përkatëse, ashtu që sa më shumë pacientë të përfitojnë nga barnat e reja që do t’i shtohen listës”, tha ministri Vitia gjatë kësaj tryeze.

“Buxheti për LBE është ngritur nga 24 milionë në 36 milionë për Kujdesin Tretësor dhe Dytësor Shëndetësor dhe nga 11 milionë në 24 milionë për Kujdesin Parësor Shëndetësor, tha ai.

Ministri Vitia theksoi se diskutimi publik me palët e interesuara kishte për qëllim rritjen e transparencës rreth Listës së re të barnave esenciale, marrjen e komenteve dhe kontributeve profesionale nga përfaqësuesit e sektorit shëndetësor si dhe përfaqësimi sa më i drejtë i interesave të pacientëve në kuadër të kësaj liste.

Vitia ka thënë se lista e re e barnave esenciale është në përputhje me standardet e Organizatës Botërorë të Shëndetësisë (OBSH), teksa ka falënderuar Komitetin për punën e bërë.

Nga 130 propozime të bëra, Komiteti ka pranuar 68 prej tyre, teksa kryesuesi Driton Vela, ka thënë se cak kanë pasur pikërisht zgjerimin e kësaj liste.

Siç ka treguar ai, Komiteti ka filluar punën në tetor të vitit të kaluar.

“Kemi arritur ta zgjerojmë listën e barnave esenciale. Kemi vendosur edhe standardin e ri të transparencës. Një prej caqeve kryesore të Komitetit ka qenë që ta zgjerojmë listën”.

“Kemi pranuar rreth 130 propozime të reja, 68 janë pranuar. Në përgjithësi përfshihen koncept dokumentet për sëmundjet e rënda. Produktet e reja përfshijnë të gjitha sëmundjet e gjitha organeve të trupit të njeriut”, ka thënë ai.

Kryesuesi i Komitetit profesional për hartimin e Listës së re të barnave esenciale, Dr. Driton Vela ka prezantuar punën e komitetit kyç dhe nën-komiteteve profesionale në hartimin e listës, metodologjinë e përdorur, terapitë e reja të përfshira në këtë listë, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me Sëmundjet e rralla, etj.. me qëllim që lista të reflektojë nevojat e pacientëve në Kosovë, por edhe mundësitë financiare që i ka sektori shëndetësor në Kosovë.

Ai theksoi se Lista e re e barnave esenciale është përpiluar, bazuar edhe në standardet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Gjatë diskutimeve të hapura u dhanë rekomandime të ndryshme me qëllim që lista e re e barnave esenciale të jetë sa më cilësore dhe përmbajtësore, ndërsa Komiteti profesional do t’i analizojë dhe trajtojë ato para se Lista të finalizohet dhe nënshkruhet nga Ministri i Shëndetësisë.

Buxheti i paraparë sivjet për mbulimin e Listës së Barnave Esenciale është 60 milionë euro, që paraqet një rritje të ndjeshme krahasuar me vitet paraprake.

Të ngjashme