Liverpooli do të ul çmimin e Xherdan Shaqirit për shkak të pandemisë së koronavirusit, ka njoftuar Football Insider të shtunën, duke cituar burime brenda klubit të madh anglez.
Liverpooli fillimisht e ka vlerësuar Shaqirin 32,2 milionë euro. Ai ishte transferuar në Liverpool nga Stoke City për rreth 15 milionë euro, dy vjet më parë.
Te Liverpooli janë të vetëdijshëm që nuk do të jetë e mundur të sigurojnë shumën që fillimisht kanë kërkuar për Shaqirin. Tregu i futbollistëve pritet të goditet rëndë nga pandemia.
Për Shaqirin ka interesim të madh nga skuadra si Sevilla, CSKA Moska dhe Roma. Por asnjëra prej këtyre skuadrave nuk do të paguaj dyfishin e asaj që ka paguar Liverpooli për Shaqirin.
Sevilla po përgatit një ofertë, por tani nuk mund të ofrojë shumën që ka ofruar një muaj më parë. Shaqiri shpreson të largohet nga Liverpooli si kampion. Ai do të largohet vetëm për ndonjë skuadër ku do të luajë rregullisht.
Këtë edicion ka luajtur pak, kryesisht për shkak të lëndimeve.