Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vijuar takimet me zyrtarë të komunës Luakaa, të Finlandës, duke u njohur me zhvillimin lokal aty dhe në veçanti arsimin.
Pas këtyre takimeve, në rrjetin social ai ka shkruar se vlera e arsimit aty, bazohet mbi barazinë dhe gjithpërfshirjen.
Arsim cilësor pa mësues të mirë, shkruan Lladrovci nga përshtypjet e kësaj vizite, nuk mund të mendohet.
Ja postimi i plotë i tij në rrjetin social:
“Niku Latva Pukkila, drejtori i Administratës njëherësh nënkryetar i komunës dhe Juha Tolonen, përgjegjës i arsimit në Laukaa, ishin mikpritësit e mi po ashtu, gjatë vizitës time në këtë komunë.
Disa detaje rreth arsimit më lanë shumë përshtypje si përqindja shumë e lartë e maturantëve që kryejnë fakultet, dallim shumë i vogël mes nxënësve shembullorë dhe atyre “të dobtë”, mësuesit përzgjedhen nga 10% i studentëve shembullorë, autoriteti i mësuesit në shoqëri është i njëjtë me atë të mjekut. Ka këtu të dhëna tjera interesante që të mendojmë ndryshe për arsimin.
Reforma në arsim, e filluar para 40 viteve, tash po i jep rezultatet e veta. Vlera e arsimit në Finlandë, bazohet në barazi dhe gjithëpërfshirje, duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë dhe duke mos përjashtuar askend për të dhënë kontribut për shoqërinë. Pra, secili është i dobishëm për shoqërinë, është baza e suksesit për nxënësit.
Arsimi finlandez, me të gjitha matjet që nga fillimi i programit PISA, nga 2006, është në njërin nga tri vendet e para. Krejt bota, është duke studiuar sistemin e arsimit finlandez. Ekipe profesionale nga vende të ndryshme, evidenton elementet e arsimit finlandez, në vend, për ta implementuar atë edhe në shtetet e veta. Arsimi finlandez tejkalon pritjet e hulumtuesve të këtij sistemi. Arsim pa mësues të mirë, më thanë, nuk ka. Nuk është çudi pse Presidenti Martti Ahtisaari ishte mësues.
Unë i falënderova shumë për mikpritjen, me shpresë që ato elemente të arsimit finlandez që aktualisht janë në përputhje me kurikulat tona, të zbatohen edhe në arsimin e komunës tonë. Sigurisht, do të thellojmë bashkëpunimin në lëmin e arsimit, me këmbimin e nxënësve dhe arsimtarëve, si dhe vizitat studimore të personelit tonë arsimor në Finlandë dhe marrjen e trajnimeve të nevojshme për personelin tonë arsimor”.