Në ditën kur ka përmirësim të situatës nga vërshimet, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka falënderuar donatorët dhe kontribuesit për lehtësimin e gjendjes gjatë vërshimeve.
Postimi i tij në fb:
Falënderim për donatorët dhe kontribuesit për lehtësimin e gjendjes gjatë vërshimeve
Falënderoj të gjithë donatorët të cilët vullnetarisht u paraqitën për të ofruar ndihmë me pako ushqimore, strehim dhe transport për të dëmtuarit dhe hapje të kanaleve e rrugëve për qarkullim gjatë vërshimeve.
Nga pyetjet e qytetarëve, ju njoftoj se kërkesa për kompensim të dëmit bëhet në Komunë te Komisioni për vlerësimin e dëmit nga zjarri dhe fatkeqësitë tjera.
Falënderojmë zyrtarët, qytetarët dhe të gjitha kompanitë që ofruan dhe po ofrojnë solidaritet me qytetarët e prekur nga vërshimet si dhe shprehën gatishmëri të përkrahjes deri në normalizimin e plotë të gjendjes.
Nga niveli qendror, gjatë vërshimeve nuk kemi kërkuar ndihmë, sepse, mund ta përballonim vetë situatën, ndërsa kemi kërkuar dhe kërkojmë përkrahje për kompensimin e dëmeve ndaj pronave private dhe kompanive të dëmtuara.
Komisioni për vlerësimin e dëmit në komunën e Drenasit do ta kryej detyrën me përgjegjësi dhe mbetet obligim i nivelit qendror, në pajtim me procedurat ta kryej kompensimin.