Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, me të cilin kanë biseduar për mundësinë e investimeve nga bizneset e shtetit amë në Drenas.
Kryetari Lladrovci ka falënderuar ambasadorin Minxhozi për vizitën që i ka bërë, dhe ka treguar se bashkëpunimi mes tyre ka qenë i vazhdueshëm si homolog, dhe se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më shumë për interesin e Komunës së Drenasit.
“Falënderoj shkëlqesinë e tij për vizitën, ne jemi miq të kahershëm dhe kemi shtrirë aktivitetet edhe në sferën e bashkëpunimit ndërinstitucional, praktikë kjo e cila do të vazhdojë edhe si kryetar Komune. Inkurajoj ambasadorin që të ftojë bizneset nga Shqipëria që të vijnë e të investojnë në Komunën e Drenasit, sepse ne do t’i ofrojmë kushte të favorshme për investime”, ka thënë kryetari Lladrovci.
Kurse ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemajl Minxhozi, ka thënë se vizitën e tij e ka bërë në Drenas për të uruar mikun e tij në marrjen e detyrës.
“Kam ardhur në këtë vend, duke e ditur se është një Komunë e vogël, por me një histori të madhe, dhe për të përshëndetur mikun tim në marrjen e detyrës si kryetar Komune. Kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë dhe të frytshëm me kryetarin Lladrovci sa ishte ambasador dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje si kryetar Komune”, ka thënë ambasadori Minxhozi.