Me rastin e fillimit të fushatës së korrje-shirjes, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka vizituar disa fusha të mbjellura me grurë dhe ka bërë thirrje që toka bujqësore të mos mbetet djerrinë e papunuar dhe të mos shëndrrohët në zonë ndërtimore.
Kryetari Lladrovci ka thënë se Komuna me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura, ku fillimisht ka formuar Komisionin i cili do të përcjell fushatën e korrje-shirjes dhe pasi që Komisioni ka konstatuar se janë pjekur kushtet për fillimin e korrje-shirjes ato kanë filluar. Fushata e korrje-shirjes pothuajse ka filluar ne të gjitha fshatrat e Komunës së Drenasit, ndërsa janë angazhuar afër 50 autokombajna.
Në territorin e Komunës janë të mbjellura 2161 hektarë, ndërsa rendimentet këtë vite nuk janë të kënaqshme dhe sillen mesatarisht rreth 3000 kilogramë për hektarë. Nëse kushtet atmosferike janë të mira, kjo fushatë pritet të përfundojë brenda 12 ditësh. Çmimi i korrje shirjes për hektarë është 100 euro.