Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar lidhur me rastin e ndalimit nga autoritetet franceze të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në reagimin e tij theksohet se ndalimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, nga autoritetet e Interpolit francez, si pasojë e një urdhërarresti të vitit 2004, përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte e drejtë dhe në pajtim me normat ndërkombëtare, ndërsa pjesëtarët e saj nuk mund të kërkohen nga shteti që ushtroi dhunë dhe gjenocid të pashembullt ndaj Kosovës në fund të shekullit XX”, thuhet në reagimin e Lladrovcit.
“Republika e Kosovës është e pavarur që nga 17 Shkurti 2008, ndërsa sovraniteti i ish-Jugosllavisë ndaj shtetit më të ri në Evropë ka mbaruar më 10 qershor të vitit 1999, dhe pas kësaj date, asnjë ingerencë e deriatëhershme, nuk vlen as për Republikën e Kosovës as për shtetasit e saj”.
Më tej theksohet se është e papranueshme që në bazë të vendimeve të paligjshme nga një gjykatë të cilës i mungon kompetenca dhe juridiksioni, si ajo e Gjykatës së Qarkut në Beograd, të bëj kërkesa të tilla sepse është ndërhyrje e pashembullt politike.
“Jemi thellë të shqetësuar me tendencat e Serbisë për të rikthyer tensionet në Ballkan, me veprimet që tentojnë të rivendosin vëmendjen dhe hegjemoninë serbe në këtë pjesë të Evropës, me format tjetër”.
“Mirëpresim lirimin sa më të shpejt të ish-kryeministrit Haradinaj, të ndalur padrejtësisht. Besojmë në pafajësinë e tij ashtu siç u shpall dy herë i pafajshëm, ndërsa në të ardhmen të mos merret parasysh asnjë kërkesë nga Serbia për arrest ndaj shtetasve të Kosovës”, thuhet në reagimin e tij.