Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur në takim përfaqësuesit e organizatës gjermane GIZ. Ata nënshkruan dy memorandume të mirëkuptimit për projektet që janë ne interes të qytetarëve të Komunës.
Njëri memorandum është për “Fuqizimin e Planifikimit Hapësinor dhe Menaxhimit të Tokës” dhe tjetri për “Planifikimin e Projektit për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta”.
Fillimisht, kryetari Lladrovci ka falënderuar organizatën e GIZ-it që për sa vite ka bashkëpunuar me Komunën e Drenasit ne projekte të ndryshme që kanë qenë ne të mirën e qytetarëve dhe ka premtuar se bashkëpunimi do të vazhdoj edhe ne të ardhmen dhe se dy memorandumet e nënshkruara do të zbatohen ne përpikëri sipas obligimeve që dalin nga to.
Ndërsa Michael Becker, menaxher i GIZ-it për projektin për Fuqizim të Planifikimit Hapësinor dhe Menaxhim të Tokës (FPHMT), ka thënë se ndjehet i kënaqur që po vazhdojnë bashkëpunimin me Komunën e Drenasit për të realizuar këtë projekt të rëndësishëm për Planifikimin hapësinor urban dhe rural i cili përfshinë; digjitalizimin, validitimin dhe ruajtjen, menaxhimin dhe përdorimin e të dhënave hapësinore dhe jo-hapësinore në programin GIS, hartimin e zonave kadastrave duke u bazuar në Ligjin për Planifikimin Hapësinor, pjesëmarrjen e publikut përgjatë procesit të planifikimin dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me planifikimin hapësinor dhe menaxhimin e tokës.
Ndërsa ne emër të menaxherit të programit GIZ SMS, Kai Hofmann, ka falënderuar Komunën e Drenasit, Rudina Qerimi e cila tha se Komuna e Drenasit është përzgjedhur për nënshkrimin e këtij memorandumi falë zgjerimit qind për qind të menaxhimit të mbeturinave, ndërsa ky memorandum ka për qëllim planifikimin dhe pilot projektet e menaxhimit të mbeturinave të ngurta që përfshijnë; pilot projektet e ndarjes së mbeturinave ne burim në shkolla dhe institucionet e përzgjedhura dhe pilot projektet e ndarjes së mbeturinave në burim në zonën e përzgjedhur të komunës.